Dalipi: Mëkat eliminimi, luajtëm shumë mirë. Juliano ndoshta është keqkuptuar.

Në mungesë të të pezulluarit Sulejman Starova, në mikrofonin e Supersportit u paraqit ndihmësi i tij Klevis Dalipi, i cili nuk e fshehu zhgënjimin për eliminimin nga kupa, por ndërkohë ka vlerësuar ndeshjen e mirë të Partizanit, në rritje konstante.

“E kisha thënë edhe më parë që kishim shumë besim te kjo skuadër. Peng mbetet goli i anuluar në ndeshjen e vajtjes në Vlorë, ai gol do të ndryshonte gjithçka. Edhe sot pësuam një gol të shpejtë nga një goditje standarde, por besuam dhe luajtëm mirë, duke qenë shumë pranë kualifikimit. Nuk ia dolëm mbanë, por dua të përgëzoj djemtë, sepse dhanë gjithçka dhe luajtën shumë mirë. Po punojmë shumë, po përmirësohemi, tani duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, për të dhuruar një ndeshje dhe rezultat të mirë ndaj Kukësit.

“Objektivat? Mbeten kupat e Europës, mendoj se me lojën dhe skuadrën që kemi mund t’ia dalim mbanë.

“Gjykimi? Sot ishte i mirë, nuk kam ankesa, por e përsëris që ndeshja e parë ishte problemi ynë, na u anulua një gol vendimtar. Sot nuk patëm as fat, por nuk i dihet, ndoshta na kthehet pas ky fat në ndeshjen me Kukësin.

Juliano flet për ndeshje të dyshimta kur punonte në Shqipëri. “Ndoshta ka pasur një devijim të deklaratave të tij, ose një keqkuptim. Ai punoi i qetë te Partizani, nuk i eci, ka edhe ai faturën e vet të fajit, lojtarët që erdhën në verë nuk u përshtatën dot”, përfundoi Dalipi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *