Dilemat e Klevis Dalipit janë nga ato që çdo trajner i ka qejf: thuajse të gjithë janë gati te Partizani dhe gara për një vend në formacion bën që çdo futbollist të japë më shumë se maksimumin, edhe në stërvitje. Sulmuesi i ardhur në janar, Besart Abdurahimi, ka qenë ndër më të mirët kohët e fundit, duke shkëlqyer në stërvitje dhe në ndeshjet brenda grupit, ndaj trajneri i Partizanit me shumë gjasa do ta hedhë në fushë nga fillimi në Kamzë. Kjo do të thotë që formacioni i të kuqve të pësojë ndryshime, por ende nuk është e qartë cili do i lërë vendin Abdurahimit, sepse deri tani të gjithë sulmuesit janë paraqitur shumë mirë.
Pikërisht sulmi është dilema e madhe te Partizani, sepse Progni, Asani e Bardhi kanë bërë shumë mirë deri tani, ashtu si Edgar Çani që po rritet në mënyrë të pandalshme, ndërsa Abdurahimi është një investim i madhe dhe vetëm forma fizike e ka lënë jashtë formacionit bazë. Pjesa tjetër e skuadrës nuk preket, me Ibrahimin e Kotobellin nga krahët, Gojkoviçin e Belicën në qendër të mbrojtjes. Batha, Mala e Trashi tashmë po krijojnë një treshe mesfushe mjaft interesante, që garanton mbështetje për mbrojtjen dhe për sulmin.
Formacioni i mundshëm
Hoxha – Ibrahimi, Gojkoviç, Belica, Kotobelli – Batha, Mala, Trashi – Asani, Progni, Abdurahimi