Trajneri i bardhekuqve konfirmon se do të qëndrojë te korçarët edhe sezonin tjetër, ndërkohë që fjalëve të shumta për largime të lojtarëve kryesor u jep një përgjigje të qartë
Leonard Trebicka
Skënderbeu shkon në Gjirokastër, aty ku e nisi këtë vit me humbje. Grupi i lojtarë në dispozicion të Ilir Dajës është i plotë, ndërkohë që trajneri i korçarëve është i kënaqur me atë që lojtarët kanë paraqitur në stërvitje. Ashtu sikurse me Teutën, edhe këtë herë do të luajnë ata që janë aktivizuar më pak, por synimi janë tre pikët.
“Gjithmonë jemi futur në fushë për tre pikë dhe këtë e kemi vërtetuar më së miri me rezultatet që kemi arritur. Sot është primar edhe rezultati, por edhe paraqitja e mirë e atyre që do të luajnë. Do t’u japim mundësi edhe lojtarëve që mund të huazohen sezonin tjetër, prandaj këto takime na vlejnë shumë. Vetëm ne e kemi luksin ta bëjmë një gjë të tillë, sepse jemi skuadra që e kemi mbyllur përpara kohe sezonin, duke sjellë edhe trofeun në Korçë” , u shpreh Daja. Por ky rotacion mund të ndikojë në ekip për finalen e Kupës dhe tekniku i Skënderbeut jep një përgjigje: “Kemi punuar me stërvitje të diferencuar me grupin e titullarëve. Nuk besoj se ai grup do ta humbë ritmin që ka paraqitur në kaq ditë. Ju kujtoj që kanë luajtur plot 56 ndeshje. Do të shikoj në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, ku mund të aktivizoj edhe lojtarë titullarë”. Ndërkohë Daja bën me dije se edhe dy prej lojtarëve të të rinjve, Pëllumbi dhe Mara, do të kenë minuta në dy ndeshjet e fundit.
SOUE – Sulmuesi nga Gambia është shënuesi më i mirë i kampionatit dhe në lidhje me aktivizimin e tij, trajneri i Skënderbeut deklaron: “Të them të drejtën nuk e kam vendosur akoma. Në fakt, një lojtari të tillë, nuk mund t’i heq të drejtën për të arritur objektivin personal të shpalljes si golashënuesi më i mirë. Edhe ndaj Teutës e aktivizova. Gjithsesi të vjen keq ta lesh një lojtar të tillë në fushë, pasi ai ka bërë më të mirën gjithë sezonin”.
TITULLI – Me Vllazninë mbyllet kampionati për Skënderbeun , ndërkohë që trajneri Daja i pyetur nëse do mundohet ta ulë euforinë për shkak të ndeshjes së Kupës, apo do festojnë, ai shprehet: “Do t’i ndajmë gjërat këtë herë, por ju siguroj që do të festojmë. Ne shqiptarët i ngatërrojmë gjërat kur jemi për punë dhe kur jemi për të festuar. Na takon të festojmë atë ditë, pastaj të nesërmen do të mendojmë për finale e Kupës. Gjithsesi ne e kemi filluar festën që prej momentit që e siguruam matematikisht trofeun”.
LARGIMET – Së fundmi ka pasur shumë fjalë. Lilaj, Gavazaj, Soue apo Dita janë përfolur për t’u larguar brenda kampionatit tonë, ndërkohë që Daja thotë: “Nëse lojtarët përfliten se do të shkojnë në një kampionat të huaj, nuk më shqetëson asgjë. Kjo është politika e klubit: për të shitur ata që shkëlqejnë. Lëvizje brenda vendit ju garantoj që nuk do të ketë asnjëherë dhe për këtë ju siguroj”.
RINOVIMI
“Parimisht kam rënë dakord dhe do të jem pjesë e Skënderbeut edhe sezonin e ardhshëm, por ka mbetur vetëm firma dhe do ta bëj realitet shumë shpejt”, shprehet Daja kur pyetet në lidhje me të ardhmen, ndërkohë që thekson se po mendojnë për garimin në Champions. “Do të mendojmë sigurisht për pjesëmarrjen tonë në Champions League dhe pastaj do të presim vendimin e KAS, duke shpresuar që të kemi një vendim pozitiv. Ne jemi kampionët dhe na takon vetëm të luajmë në kompeticionin më të rëndësishëm evropian të futbollit”, përfundon Daja.