Trajneri i Skënderbeut humbet gjumin: “Kur në Shqipëri lind një gjë e bukur, të gjithë duan ta dëmtojnë dhe asnjëherë nuk e përkrahin”
Leopard Trebicka
“Nuk besoj që UEFA karshi një klubi shqiptar të marrë dy herë një masë dënimi. Kjo, pasi në politikën e vetë UEFA-s është që të shtrijë futbollin në të gjithë kontinentin. Skënderbeu është një skuadër e re, që vjen nga një vend i vogël dhe nga një qytet me kulturë, që po jeton prej disa vitesh vetëm me futbollin dhe zhvillimin e tij. Nuk ka asnjë mundësi që UEFA të hedhë poshtë ato që vetë i promovon”, këto e shumë fjalë të tjera ka thënë dje në një intervistë për “Sport Ekspres” trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja. Kreu i stolit bardhekuq, ka folur gjerë e gjatë për situatën që po ndodh te korçarët, ndërkohë që ka theksuar se për të Skënderbeu është skuadra më e mirë në Shqipëri. Tekniku ka folur edhe për futbollin e luajtur, teksa sot bardhekuqtë luajnë në transfertën e vështirë të Kamzës, atje ku sipas tij juglindorët kanë vetëm një objektiv, fitoren.
-Daja, së pari çfarë po ndodh, pasi po fliten shumë fjalë orët e fundit, me një tjetër duel të nisur mes UEFA-s dhe Skënderbeut?
-Do thosha së pari që ne si staf së bashku me futbollistët duhet të fokusohemi te ajo që na kërkohet vazhdimisht, performanca në fushën e lojës. Në të tilla situata drejtuesit janë ata që do t’i ndjekin nëpërmjet zyrës juridike të gjitha problemet. Mendoj që për një çështje që Skënderbeu është dënuar një herë, nuk mund të dënohet sërish dhe kjo sigurisht që më duket e pavend, nëse do të ndodhë.
-Keni biseduar me drejtuesit e klubit pas publikimit të lajmit dhe çfarë flitet në klubin bardhekuq?
-Na është kërkuar që të jemi në të njëjtin rritëm që kemi qenë javë pas jave. Nuk duhet të humbasim aspak përqendrimin, sepse e theksova edhe më sipër: nuk na takon ne që të merremi me çështje të tilla. Nëse ne bëjmë detyrën tonë, kjo është gjëja më e rëndësishme dhe më me vlerë që bëjmë tani.
-Duhen deri në 4 muaj që të merret një vendim përfundimtar. Mendoni se mund të ndodhë e keqja me Skënderbeun, apo besoni se klubi do ia hedhë këtë herë?
-Nuk besoj që UEFA karshi një klubi shqiptar të marrë dy herë një masë dënimi. Kjo, pasi në politikën e vetë UEFA-s është që të shtrijë futbollin në të gjithë kontinentin. Skënderbeu është një skuadër e re, që vjen nga një vend i vogël dhe nga një qytet me kulturë, që po jeton prej disa vitesh vetëm me futbollin dhe zhvillimin e tij. Nuk ka asnjë mundësi që UEFA të hedhë poshtë ato që vetë i promovon.
-A ka ndikuar një situatë e tillë në skuadrën që ju drejtoni dhe moralisht si duket grupi i lojtarëve?
-Në nivel paragjykimi futbollistët që unë drejtoj dhe kryesisht pjesa më e madhe janë lojtarë me eksperiencë dhe dinë të reagojnë. Ndërsa në dinamikë kjo mbetet për t’u parë, por unë personalisht besoj shumë që nuk ka për të ndikuar aspak në fushën e blertë një gjë e tillë.
-Në akuzat e shumta janë përfshirë edhe lojtarë. Keni parë ndonjë reagim në stërvitje, apo…
-Absolutisht jo. Madje dua të them se gjatë gjithë kohës, ne si staf, lojtarët dhe presidenti, jemi të gjithë bashkë. Edhe një vit më parë ka pasur trysni të madhe, ndërkohë që kurrë nuk kemi qenë pjesë e një aleance dhe kemi luajtur deri në fund me “fair-play”.
-Përse mendoni se ndodhin gjëra të tilla pikërisht kur Skënderbeu është dënuar njëherë?
-Nuk di si të them, pasi edhe mund t’i ngatërroj gjërat, por në Shqipëri kur lind një gjë e bukur duan ta dëmtojnë e asnjëherë nuk e përkrahin. Edhe UEFA duhet të shohë që në këtë vend futbolli ka qenë në nivel mbijetese dhe tani po lëviz pozitivisht. Nëse e bën atë që nuk duhet të bëjë, UEFA do t’i bëjë keq Shqipërisë. Ne si Shqipëri kemi nevojë të na shtrijnë dorën e bashkëpunimin, jo për të na dënuar. Nuk kemi nevojë për kartonin e kuq, por për kartonin jeshil dhe të gjitha këto duhet të shihen me shumë kujdes.
-Kamza-Skënderbeu për javën e 20-të. Mund të flasim për futboll të luajtur në këtë moment, apo kjo është në plan të dytë?
-Jo, është në plan të parë futbolli, sepse si unë dhe stafi im drejtojmë ekipin e Skënderbeut dhe përgjigjemi për të arritur atë që ka objektiv klubi. Edhe drejtuesit na kanë thënë që të vazhdojmë me rezultat pozitive.
-Qysh në momentin që ju jeni në krye të pankinës së Skënderbeut, prej 13 muajsh, mendoni se Skënderbeu ka më shumë “armiq”, apo miq?
-Mendoj që Skënderbeu është ekipi më i mirë në Shqipëri. Nuk është përfshirë në asnjë situatë që flitet dhe jam krenar që drejtoj këtë skuadër, që për mua ka për bazë kulturën dhe edukatën. Personalisht jam i lumtur në stolin e Skënderbeut.
-Për të kaluar te kjo javë, do ia dilni në këtë transfertë jo fort të lehtë kundër Kamzës?
-Unë shpresoj shumë që do ia dalim. Në dy ndeshjet e para kemi lënë pikë, por kjo nuk ndikon në qëllimin që ne kemi për këtë 90-minutësh: për të luftuar në fushë dhe më pas për ta fituar ndeshjen.
-Kamza është e vetmja skuadër që Skënderbeu ka arritur t’i marrë vetëm dy pikë në dy fazat e para. Çdo do të thotë kjo?
-Që nëse duhet të arrijmë te fitorja, duhet të jemi të përqendruar. Jo se Kamza ka qenë më mirë se ne në dy përballjet e para, sidomos te ajo ndeshje e fazës së dytë në Korçë, por nuk duhet të lejojmë që të ndodhë ajo që ndodhi edhe në Korçë, ku na barazuan në fund.
-Profesor, si keni qenë me gjumin këto ditë, apo keni menduar më shumë se çfarë do të ndodhë me Skënderbeun?
-Të them të drejtën, nuk më ka zënë gjumi. Kjo pasi Skënderbeu është si përfaqësuesja e dytë shqiptare dhe unë kam fatin të jem në stolin e këtij ekipi, por që po mendoj se ç’do të ndodhë me futbollin shqiptar më prapa. Nëse do të ketë një ribënim, kjo për mua është absurde nëse ndodh, ne do të kthehemi shumë kohë më prapa dhe do të jetë një keqardhje e madhe.
-Po me presidentin Ardjan Takaj çfarë keni biseduar?
-Një ditë më parë kemi qenë gjatë gjithë ditës bashkë dhe ai na ka kërkuar që të fokusohemi te detyra jonë e vetme, stërvitjet dhe prezencat pozitive në fushë. Për pjesët e tjera, si do të rrjedhin ngjarjet, ato do të shikohen në dinamikë.
-Së fundmi, titulli kampion, kupa, “lufta” me UEFA-n, pjesëmarrja në Champions. Cila mendoni se do të jetë fitorja më e madhe?
-Mendoj që UEFA në fund do të bëjë zgjidhjen më të mirë për futbollin shqiptar dhe kjo do të jetë ajo që do ta cilësoja si një “luftë” të fituar. Ndërsa detyra jonë është që të përqendrohemi vetëm te ndeshjet. Duhet të arrijmë njëra pas tjetrës të gjithë objektivat që përmendët në pyetjen tuaj.