Daja: U kthyem të zakonshmit, Gavazaj ishte super

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka mbetur me të drejtë shumë i kënaqur nga triumfi në Vlorë, me kreun që betonohet dhe me anën psikologjike që rikthehet ajo e duhura, pas dy humbjesh rresht.

Fitore në  Vlorë, një javë para kthimit të kupës: “Pa diskutim që në një fushë të vështirë si ajo e Flamurtarit është një bonus i madh psikologjik që të shënosh që në minutën e parë. Megjithatë, përveçse e nisëm mirë, ruajtëm edhe vazhdimësi dhe kjo ishte e rëndësishme.

Goli i parë, i dyshimtë për pozicion jashtë loje? “Jo, nuk dua të merrem fare me debate të tilla, nuk kanë vlerë. Për ne ishte e rëndësishme që fituam, në atë rast lojtarët janë në vijë të drejtë dhe në raste të tilla vijon loja.

Sulmi: “Xhejms e Gavazaj bënë një punë të shkëlqyer, duke dhënë një kontribut shumë të madh në ndërtimin e manovrës sulmuese, ndërsa Muzaka e Dita kishin detyra të tjera, ndaj u desh puna e duhur në thellësi nga anësorët, gjë që e bënë shumë mirë. Kemi punuar shumë këtë javë dhe më vjen mirë që futbollistët zbatuan në fushë atë që kemi provuar. Më vjen mirë edhe që Gavazaj është kthyer ai i para disa ndeshjeve, kur ka bërë goxha mirë për ekipin”.

Kupa përpara: “Të them të drejtën, janë dy gjëra që ndonjëherë duken si të ndara, sepse kupa ka specifikë tjetër, por kjo fitore i bën mirë psikologjikisht ekipit, sepse treguam që jemi kthyer në rrugën e duhur. Kisha frikë se dy humbjet e fundit do të na dëmtonin moralisht, por tani jemi kthyer aty ku duhet. Sa për ndeshjen e kthimit në kupë, ajo luhet dhe fitohet në fushë, nuk bëhen parashikime që tani”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *