Daja: Titulli ogur i mirë, vijojmë me spektaklin e Vlorës

Trajneri i Skënderbeut deklaron se pas vendimit të fundit lojtarët do të jenë më të motivuar: Na kanë paragjykuar, por luajmë futboll të pastër

Leonard Trebicka

E gjithë Korça dje ishte në festë, pas titullit të rikthyer nga CAS-i. Dhe entuziazmi nuk kishte si të mungonte në sallën e konferencave për shtyp, ku trajneri Daja doli pak pas vendimit që bëri bujë në qytetin jugor. Trajnerit, drejtuesve të klubit, lojtarëve dhe tifozëve u është kthyer buzëqeshja. Para se të fliste për ndeshjen e sotme me Kamzën, trajneri kryeqytetas i korçarëve theksoi se vendimi i CAS-it është një ogur i mirë edhe për çështjen e dënimit nga UEFA. Ai shpreson shumë që Skënderbeu të mbylle sa më parë edhe titullin e këtij kampionati.
– Daja, vëmendjen sot (dje) e ka marrë vendimi i CAS-it, që i kthen Skënderbeut titullin e 2016-ës…
– Janë çështje që diskutohen me avokatët e klubit dhe nuk më takon mua ti komentoj, por ky vendim i CAS-it është patjetër një ogur i mirë për vazhdimësinë.
– Në aspektin sportiv, si do të ndikojë ky vendim në ekip?
– E kemi thënë pas vendimit të UEFA-s se ndikoi dukshëm në lojë. Vendimi i fundit do të jetë një bonus dhe shpresojmë për një ecuri sa më pozitive deri në fund. Ndikoi negativisht dënimi i UEFA-s dhe nuk kemi zhvilluar lojë jo të mirë. Tani kemi një bonus psikologjik. Me këtë vendim ëndrra e lojtarëve bëhet realitet.
– Cila ëndërr profesor?
– Të arrijmë të bëjmë maksimumin edhe këtë sezon në Europë. Ne do të vijojmë ta jetojmë këtë realitet, por edhe ta çojmë përpara duke arritur maksimumin.
Ishte kjo përgjigja më e mirë për të mbyllur “gojët e liga?
– Skënderbeu e ka kapërcyer realitetin shqiptar. Në çdo ndeshje të kampionatit, sipas disa opinionistëve, priten grushte apo ku e di unë se çfarë. Skënderbe, si kur fiton, edhe kur nuk fiton, e përshëndet kundërshtarin. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Edukatën dhe kulturën e qytetit i shpreh edhe ekipi ynë. Për të ecur përpara dhe për të mos u marrë me të tilla gjëra, do të shohim vetëm anën pozitive dhe do të përcjellim vetëm pozitivitet në këtë kampionat.
– Kthehemi te kampionati, ku Kamza është kundërshtari i radhës
– Jemi në pozita të mira në krye të klasifikimit. Kur një ekip ndryshon trajnerin, ka motivim maksimal për lojtarët, të cilët do të mundohen të japin më të mirën e tyre. Kjo do të thotë se duhet të jemi të përqendruar për të bërë më të mirën. Me Kamzën kemi dy barazime dhe një fitore. Pavarësisht gjendjes pozitive pas spektaklit në Vlorë, duhet të djersijmë shumë për të vijuar me fitore.
Shumë ekipe i kanë sytë nga Skënderbeu, ku duan të shohin sa ndershëm do të luani deri në fund?
– Nuk ka asnjë dyshim. Skënderbeu është paragjykuar. Ata që e kanë parë ndeshjen, jo ata që kanë qëndruar nëpër kafene, kanë dalë në mendimin se Skënderbeu luan futboll të pastër dhe kjo është merita jonë. Duke mos pasur aleatë, vlerësojmë gjithkënd.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *