Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, thekson se ekipi i tij do të luajë deri në fund për fitore, për të shmangur çdo paragjykim
Leoanrd Trebicka
“Skënderbeu, që të jemi të qartë, luan vetëm për veten dhe për askënd tjetër. Jemi duke luftuar të vetëm në kampionat dhe nuk kemi aleatë, s’kemi pse të ndihmojmë një ekip, apo të penalizojmë një tjetër. Jam i vetëdijshëm se do të ketë aludime, siç edhe ka pasur, por me rezultatet tona do të mundohemi t’u mbyllim gojën dhe këtyre diskutimeve”, – ka theksuar në intervistën e djeshme nga Durrësi trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja. Korçarët do të luajnë sot në Durrës vetëm për tri pikë. Do ta kenë të vështirë, pasi Teuta lufton për mbijetesë, por Skënderbeu do t’ia bëjë shërbimin si duhet këtij 90-minutëshi.
– Daja, sa e vështirë është ndeshja në tranfertë ndaj Teutës?
– Të jemi të sinqertë, vetë pozicioni që ka Teuta në fundin e klasifikimit, e bën më të vështirë këtë takim. Kundërshtari kërkon të arrijë objektivin e tij, t’i larguar fundit të tabelës dhe normalisht do të japë maksimumin në këtë ndeshje. Një gjë e tillë pritet ta vështirësojë lojën tonë, por sigurisht që edhe ne do të kërkojmë të bëjmë më të mirën e mundshme.
– Skënderbeu, dashur pa dashur, është bërë faktor, për shkak të shkëputjes në renditje. A u druheni paragjykimeve?
– Skënderbeu, të jemi të qartë, luan vetëm për veten dhe për askënd tjetër. Jemi duke luftuar të vetëm në kampionat dhe nuk kemi aleatë, s’kemi pse të ndihmojmë një ekip, apo të penalizojmë një tjetër. Jam i vetëdijshëm se do të ketë aludime, siç edhe ka pasur, por me rezultatet tona do të mundohemi t’u mbyllim gojën dhe këtyre diskutimeve.
– Një barazim në Durrës, do të ishte pozitiv për ju, duke parë diferencën me vendin e dytë?
– Që në fillim të kampionatit kemi qenë të përqendruar për të marrë maksimumin në çdo ndeshje, pavarësisht ku luajmë. Kjo do të thotë se do të vijojmë të kërkojmë maksimumin edhe në 12 javët e mbetura. Duam të jemi të sigurt deri në fund, kur titulli të vijë në Korçë.
– 36 pikë në lojë dhe 14 pikë është diferenca. Skënderbeu është me një dorë te titulli, apo jo?
– Duke qenë se objektivi ynë ka qenë fitimi i titullit, kemi qenë me një dorë te trofeu, pasi e donim me çdo kusht dhe jepnim maksimumin në çdo ndeshje. Në një situatë të tillë, sa më shumë kalojnë ndeshjet, aq më shumë i afrohemi titullit dhe jemi të kënaqur për rrugëtimin që kemi bërë deri më tani.
– Keni pasur pak kohë për të studiuar Teutën. Ku janë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit?
– Teuta ka një ekip me elementë cilësorë, që kanë treguar ndër vite se janë të aftë për të marrë rezultate pozitive. Zakonisht nuk kam folur për të tilla çështje, por mendoj se pika e tyre e dobët është te menaxhimi i rezultatit, por edhe qarkullimi i topit, që nuk e ndihmon lojën e tyre.
– Skënderbeu ka dilemën e Muzakës. Si duket gjendja e lojtarit?
– Muzaka ka marrë një goditje në ndeshjen me Lushnjën dhe ditën e hënë ka zhvilluar vetëm terapi. Është bashkuar me ekipin në stërvitje, por jemi ende të dyzuar, nëse duhet ta kemi në dispozicion, apo ta lëmë pushim. Do të konsultohemi dhe do të vendosim.
– Me Lushnjën nuk bëtë rotacion…
– Vazhdoj të kem të njëjtin mendim. Në këtë mënyrë rritet konkurrenca brenda ekipit dhe ajo është pozitive për të marrë rezultate. Lojtarët duhet të tregojnë në seancat stërvitore se janë gati për një fanellë titullari.