Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është i qetë para sfidës së nesërme në Shkodër, një stadium dhe një fushë mjaft komode: “Jemi përgatitur për një transfertë të vështirë në Shkodër, edhe sepse Vllaznia kërkon të dalë nga gjendja në renditje. Por, në Shkodër luhet futboll dhe me një terren të mirë si ‘Loro Boriçi’, besoj përtej vështirësive, që te kjo transfertë do të shkojmë për të marrë fitoren”.
Me një fitore nesër, Skënderbeu mund të shkëputet sërish, pasi Flamurtari luan në Kukës: “Sigurisht që përplasja e dy skuadrave që na ndjekin më afër, është një bonus, por mendjen e kemi të transferta në Shkodër për të realizuar objektivin e titullit kampion, sepse në këtë mënyrë shkohet më lehtë në Europë”, tha trajneri i Skënderbeut.
Kthehet Soue, do të shlyhet me pagesë dënimi për Radas: “Kemi ndoshta jo 100 % të përcaktuar formacionin, natyrisht duke parë edhe lojën e kundërshtarit. Të gjithë kontingjentin e kemi në dispozicion dhe nëse ndonjë lojtar nuk do të mund të japë më të mirën, mund të ndërhyjmë në fillim”, sqaroi Daja.