Trajneri bardhekuq, në sallën e konferencave për shtyp, ka deklaruar se barazimi ndaj Kamzës nuk e kënaq aspak. “Të imponojmë me forcë lojën tonë, në mënyrë që ta fusim kundërshtarin në ritmin tonë”
Leonard Trebicka
“Kamza është i vetmi ekip që në fazën e parë na ka marrë pikë. Duhet të tregojmë një forcë edhe më të madhe, për të mos bërë atë që bëmë fazën e parë. Presim një Kamzë që në Korçë do të vijë e qetë dhe për të marrë objektivat e veta. Nuk do të kënaqemi aspak me barazim, kështu që rruga e vetme e jona do të jetë fitorja”, të thotë trajneri Daja në konferencë për shtyp, ku i është përgjigjur interesit të gazetarëve të pranishëm.
Profesor, si e pret Skënderbeu përballjen me Kamzën?
– Do të kemi përballë me ekipin e vendit të katërt, që ka bërë një fazë të parë vërtet të mirë dhe në Korçë vjen pas dy rezultateve pozitive. Koha që kemi pasur në dispozicion padiskutim që ka qenë e limituar, por do të mundohemi të imponojmë me forcë lojën tonë, në mënyrë që ta fusim Kamzën në ritmin dhe në rrjedhën e lojës sonë. Padiskutim që në këtë takim do të kërkojmë fitoren dhe kjo nuk ka asnjë dyshim.
Skënderbeu vazhdon të jetë skuadra për t’u munduar…
– Janë rritur pritshmëritë për këtë skuadër, për vetë faktin se kemi bërë një fazë të parë shumë të mirë, jo vetëm në drejtim të rezultateve, por edhe për paraqitjen që kemi bërë në fushën e lojës. Gjatë gjithë kohës nga kërkohet marrja e fitoreve, ndërkohë që në Vlorë e nisëm mirë fazën të dytë. Pjesën e parë nuk ishim në lartësinë e duhur, por në pjesën e dytë e kemi mbyllur kundërshtarin në gjysmëfushën e vet. Me këtë dua të them që vazhdojmë ecurinë tonë pozitive.
Me Kamzën, do të vazhdoni atje ku e latë në fazën e parë?
– Kamza është i vetmi ekip që në fazën e parë na ka marrë pikë. Duhet të tregojmë një forcë edhe më të madhe, për të mos bërë atë që bëmë fazën e parë. Presim një Kamzë, që në Korçë do të vijë e qetë dhe për të marrë objektivat e veta. Nuk kënaqemi aspak me barazim, kështu që rruga e vetme është fitorja.
Mos ndoshta ka ardhur moment që ndaj Kamzës të ketë edhe rotacion në fushë për shkak të lodhjes?
– Nuk duhet të bëjmë rotacion duke iu dhënë hapësira lojtarëve, por duhet ta marrin me forcë fanellën e titullarit. Vetëm në këtë mënyrë do të shtojmë rivalitetin brenda grupit. Edhe në këtë takim do të luajnë të gjithë ata lojtarë që mendojmë se do të na çojnë më shpejt te fitorja, pa menduar se të enjten luajmë ndaj Dinamos së Kievit.
Cila është gjendja e lojtarëve përpara ndeshjes me Kamzën?
– Mungesat për këtë takim tashmë dihen, pasi janë të deklaruara prej ditësh. Nuk janë Jashanica, Lilaj dhe Nespor,por kemi një rikthim të Nimagës. Sigurisht Lilaj dhe Jashanica janë lojtarë shumë të rëndësishëm. Nuk ka justifikime, pasi edhe pjesa tjetër është e gatshme të paraqitet në të njëjtën mënyrë, pa prishur ekuilibrat në lojë, edhe pa prezencën e këtyre emrave që mungojnë.
Vazhdon të mungojë Nespor. Mos është ceku një largim i sigurt në janar?
– Jemi shpejt për të nxjerrë konkluzione. Pas përfundimit të kësaj pjese të kampionatit deri në janar, do të bëjmë edhe një analizë për të parë jo vetëm minutazhin të lojtarit që ju përmendët, por edhe të futbollistëve të tjerë. Atëherë ndoshta, duke gjetur edhe gjuhën e mirëkuptimit, sepse janë lojtarë që janë në kontratë me Skënderbeun, do të shohim se kush është zgjidhja më e mirë.
Luani ndaj Kamzës, por a mendoni për Dinamon e Kievit?
– Absolutisht jo, pasi objektivi ynë primar është fitimi i titullit kampion. E kemi bërë tashmë praktikë pune, që i kemi marrë ndeshjet një e nga një. Jam këtu të flas për Kamzën, pasi ajo është ndeshja e radhës.
Partizani është 15 pikë prapa Skënderbeut. A është ky një plus më shumë për ju?
– Nuk dua të bëj komente siç bëjnë disa kolegë të mi, kur i kërkohet të analizojnë ekipin e tyre dhe ata flasin më shumë për Skënderbeun. Nuk bëj të njëjtin gabim që bëjnë ata. Nëse Partizani do të kishte më shuam pikë, sigurisht që cilësia e garës do të ishte një vlerë e shtuar për kampionatin. Ata e dinë më mirë problematikën e tyre, mua më intereson vetëm Skënderbeu. Na ngelet të vazhdojmë në këtë rrugë.
Skënderbeu deri tani ka lënë 4 pikë. Shumë apo pak?
– Besoj që jemi në rrugën e duhur. Nuk është se kemi bërë një gjë shumë të madhe, pasi në dhjetë javë kemi lënë 4 pikë nga maksimumi i pikëve. Nëse do ta kishte bërë një skuadër tjetër një gjë të tillë, do të amplifikohej më shumë ky sukses. E vetmja gjë që dua të them është që të mos vetëkënaqemi dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse është gati 25% e ndeshjeve që kemi luajtur deri. Por kemi edhe garancinë, pasi përveç rezultateve kemi bërë gjithçka mirë edhe në lojë.