Leonard Trebicka
Shumë fjalë qarkullojnë orët e fundit për trajnerin Ilir Daja, të cilin tashmë e kanë çuar edhe në Vlorë te Flamurtari, madje ka zëra që ka biseduar edhe me drejtuesit e klubit bregdetar dhe është gati të ulet në pankinë. Por, të gjitha këto janë më shumë se të pavërteta gjë që e ka mohuar në mënyrë kategorike edhe vetë Daja, i cili dje për “Sport Ekspres” me një fjali është shprehur: “Nuk kam biseduar me asnjë person nga klubet e tjera, pasi unë e kam thënë shumë herë që jam pjesë e Skënderbeut dhe vetëm e Skënderbeut.” Këto fjalë të theksuara dje nga vetë kryepankina e Skënderbeut konfirmojnë edhe njëherë, që nuk ka lëvizur asnjë gjë nga vendimi që Daja ka marrë edhe ditë më parë, teksa ka konfirmuar se nuk ka arsye që e lëviz atë nga pankina e Skënderbeut. Ndoshta skuadrat e tjera e dëshirojnë një trajner kampion si Ilir Daja, por momentalisht është e vështirë t’u marrësh korçarëve lojtarë.
RINOVIMI – Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, për momentin është duke pushuar dhe burime pranë numrit një të stolit bardhekuq bëjnë me dije se Daja do të kthehet pikërisht nesër në kryeqytet dhe pushimet për të në këtë moment do të mbyllen. Kjo për vetë faktin se ditën e parë të javës që vjen Daja do të zhvillojë një takim kokë më kokë me presidentin Ardjan Takaj. Së pari do të bisedohet për skuadrën e re për sezonin e ri, por sigurisht që ky do të jetë edhe momenti kur kryeqytetasi i stolit do të rinovojë me Skënderbeun: “Nuk e diskutoj që zgjedhja e vetme është Skënderbeu dhe do ta mbyll shumë shpejt me këtë skuadër.” Kështu pati deklaruar edhe përpara disa ditësh Daja, ç’ka do të thotë se skuadrat e tjera duhet ta harrojnë njëherë e mirë këtë trajner për ta ulur në stol. Ndoshta dëshirat janë veçse dëshira, por nuk vlejnë për trajnerin Ilir Daja që ka qenë bardhekuq për një vit e gjysmë dhe do të vazhdojë të jetë edhe më tej. Mësohet se të hënë Daja do të firmosë për një vit me Skënderbeun dhe në këtë mënyrë do të mbyllen edhe hamendësimet për kreun e stolit kampion.
VENDIMI – Ndoshta skuadrat që kanë nxjerrë si lajm se Daja mund të ulet në pankinën e ekipit të tyre kanë parasysh që Skënderbeu mund të mos lejohet që të luajë në Champions dhe këtë vendim mund ta marrë KAS-i. Ndoshta kjo edhe mund të ndodhë dhe nuk përjashtohet si mundësi, por nëse KAa jep përgjigjen se Skënderbeu duhet të pushojë këtë verë, atëherë çfarë do të ndodhë me Dajën? Edhe kjo pyetje e ka një përgjigje. Në rast se Skënderbeu nuk luan në Champions, trajneri Ilir Daja sërish do të mbetet në Korçë në krye të Skënderbeut. Kjo do të ndodhë për faktin e vetëm se verdikti final për Skënderbeun do të merret në muajin tetor dhe deri në atë moment ka edhe shumë kohë, madje do të jenë luajtur shumë javë të superligës së vitit të ardhshëm deri në momentin e vendimit final që do të marrë KAS-i për dënimin 10-vjeçar që ka marrë nga UEFA. Plani “B” i Skënderbeut nëse nuk luan për momentin në Champions është ai që Takaj do t’i besojë sërish stolin Ilir Dajës. Këtë verë futbollistët titullarë të Skënderbeut do të lejohen të luajnë me skuadra të tjera në ndeshjet europiane dhe pas mbylljes së aventurës së tyre në Europë do të kthehen sërish te Skënderbeu. Mund të ketë vetëm ndonjë largim prej 2-3 lojtarësh, por që pjesa më e madhe e këtij Skënderbeu do të qëndrojë dhe nën drejtimin e Ilir Dajës do të përgatitet për sezonin e ri. Ky është plani gjithmonë nëse Skënderbeu nuk lejohet që të luajë në Champions, pra sërish me Dajën në stol. Prandaj, njëherë e mirë Ilir Daja e ka mbyllur me Skënderbeun dhe nga e hëna e ardhshme do të vishet edhe zyrtarisht bardhekuq për të mbyllur njëherë e mirë të gjitha thashethemet e ditëve të fundit.