Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka mbetur shumë i kënaqur nga fitorja me përmbysje në Kamzë, duke lavdëruar skuadrën e tij, në një moment mjaft delikat për klubin korçar.
“Ka qenë një javë e vështirë, pas lajmit ardhur nga UEFA, por reaguam shumë mirë. Drejtoj një ekip që në kushte të vështira dinë të reagojnë, të menaxhojnë avantazhin, të administrojnë lojën dhe të reagojnë. Kjo përmbysje tregon forcën e mentalitetit që ka kjo skuadër. Kamza është ekip simpatik, në fushën e vet me mbështetjen e tifozerisë bëhet edhe më e vështirë, por ia dolëm të kalojmë çdo vështirësi. Me këtë fitore ruajmë ritmin, bëjmë punën tonë dhe shohim përpara.
“Dënimi i mundshëm nga UEFA? Është një keqardhje e madhe, kemi treguar fair-play që kur jam unë në Korçë. Në aspektin juridik nuk komentoj dot, por në aspektin psikologjik mund të them se është goditje e rëndë. Deri para disa vitesh futbolli shqiptar ishte në vështirësi të mëdha, lëviznin koeficientët e jetës, jo më të ndeshjeve të futbolli. UEFA duhet të ketë parasysh që tashmë futbolli në Shqipëri ka ecur shumë përpara, është përmirësuar gjithçka dhe futbolli po rritet në çdo drejtim, ndaj shpresoj që të kemi një karton jeshil nga UEFA për të na stimuluar të rritemi, përndryshe dënimi është një fatalitet për Korçën dhe gjithë futbollin shqiptar. E ardhmja? “Skënderbeu ka aktivizuar zyrën e vet ligjore dhe shpresojmë për të mirën e Korçës dhe Shqipërisë që të mos dënohemi, pasi kemi një ekip që përfaqëson denjësisht futbollin shqiptar në Europë.
“Dita si mbrojtës krahu? Bëri mirë, përtej ndonjë gabimi të vogël. Kishim mungesa të rëndësishme, kur të kthehen Jashanica e Vangjeli do të ecim në këtë rrugë, duke u rritur.
“Soue në hije? Nuk është problemi i tij. E bisedova me skuadrën në pushim, nuk pati aspak mbështetje nga mesfusha dhe nëse një sulmues nuk ka mbështetje nga pas dhe nga krahët, e ka shumë të vështirë të gjejë hapësira. Në pjesën e dytë u përmirësuam dhe po shkojmë drejt performancës dhe ritmin që kemi pasur në pjesën e parë të sezonit”.