Trajneri i korçarëve do të ketë mungesa të rëndësishme, por sërish ka besim se ekipi është në gjendje të fitojë sot në Vlorë
Leonard Trebicka
Flamurtari është ekipi që korçarët e njohin më mirë, pasi ndeshja e sotme është e 6-a me ta në këtë sezon. Katër herë janë ndeshur në kampionat dhe 1 herë në Kupë. Bilanci është pozitiv për Skënderbeun, që para disa ditësh fitoi 0-3 në Vlorë. Edhe sot i duhet të fitojë Për të shkuar në finale dhe me këtë synon do të zbresë në fushë. Nuk është aspak e lehtë, sepse Kupa është me më shumë rëndësi për vlonjatët, por trajneri Daja thekson se Skënderbeu, pavarësisht mungesave, është gati për kualifikimin.
– Daja, si e prisnin ndeshjen e kthimit në Vlorë. Sa e vështirë është për ju?
-Do të thosha se është një 90-minutësh i vështirë, sepse të dy ekipet duan finalen. E kemi humbur ndeshjen e parë, por me një reflektim të duhur në takimin e para disa ditëve në kampionat, them se kemi shanset tona. Flamurtari ka objektivin e vet në Kupë dhe patjetër që do të jetë një përballje e fortë.
– Ju duhet një fitore me më shumë se një gol për kualifikimin?
– Nuk e mendojmë humbjen e ndeshjes së parë, do të hyjmë me besim në fushë për përmbysjen dhe kualifikimin në finale. Na kualifikon vetëm fitorja dhe këtë duhet të bëjmë. E kemi thënë që në fillim se gjithçka do të vendoset pas ndeshjes së dytë.
– Çfarë duhet të bëjë Skënderbeu për t’u kualifikuar?
– Skënderbeu duhet të bëjë lojën e vet, asgjë më shumë se ajo që bëri në ndeshjen e kampionatit përballë Flamurtarit në Vlorë. Duam finalen dhe do ta tentojmë deri në fund, pavarësisht mungesave që kemi. Besim kemi të gjithë, që nga unë i pari dhe deri te lojtari më i fundit. Shkojmë në Vlorë me besimin e madh se do të jemi ne ata që do ta fitojmë këtë ndeshje. Skënderbeu nuk është skuadër shtëpie dhe fusha nuk na bën përshtypje, luajmë njësoj kudo.
– Pa Shehin, Xhejmsin dhe Ditën, vështirësia rritet shumë, apo jo?
– Sigurisht, janë mungesa të rëndësishme, pasi janë lojtarë cilësorë, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën edhe pa ta. Shehi do të jetë në stol për të dhënë mbështetjen e tij prej kapiteni, ndërsa Dita dhe Xhejms, për shkak të problemeve fizike, nuk do të jenë në këtë takim.
– Tre seanca i kanë mjaftuar që Skënderbeu ta përgatisë këtë ndeshje?
– Nuk është hera e parë që luajmë brenda pak ditësh. Këtë gjë kemi bërë thuajse në një sezon të tërë, që në verë. Jemi mësuar me kaq pak përgatitje. Skënderbeu me këtë ritëm do të vazhdojë edhe më tej, pasi koha për ndeshjet e tjera do të jetë thuajse njësoj.
– Jeni i bindur se këtë sezon do t’i fitoni të dy trofetë?
– Të jem i sinqertë, trofetë nuk i fiton as Daja dhe asnjë njeri në veçanti, por bashkëpunimi mes të gjithë komponentëve që formojnë këtë klub. Jemi duke ndjekur objektivat tona dhe jemi mirë në bazë të atyre çfarë kemi treguar. Ekipi më i mirë në vend nuk ka pse të mos i fitojë të dy trofetë.
– Keni ndonjë koment për shitjen e Abazaj? A ju prishi punë, pasi e prisnit në qershor në skuadër?
– Abazajt i uroj suksese atje ku ka shkuar. Sigurisht që lojtarë të tillë do të na duheshin në të ardhmen, por kjo shitje është bërë në të mirë të lojtarit dhe klubit. Suksese lojtarit!