Daja: Duhet të mos pësojmë gol, ndaj Partizanit të Beogradit do të jemi më agresivë

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka mbetur i kënaqur nga fitorja kundër Lushnjes, duke shprehur shqetësim vetëm për faktin se skuadra e tij po kapet shpesh në kundërsulm, duke pësuar gola edhe ndaj rivalëve inferiorë.

“Nuk ishte një kundërshtar i lehtë, përtej renditjes. Nuk e kishim marrë lehtë, na duhej kjo fitore dhe e kërkuam me ngulm, krijuam lojë e raste dhe morëm 3 pikë të merituara. Sërish kemi humbur shumë raste për shënim, kjo ka problemet e veta, edhe pse është diçka e mirë që krijojmë kaq shumë situata për shënim. Shkodra para mbrojtjes? E vendosa në varësi të kundërshtarit dhe e bëri shumë mirë detyrën që i krijova, edhe pse është lojtar më ofensiv dhe ka aftësi të shkëlqyera para portës kundërshtare.

“Sërish gol i pësuar ndaj një rivali inferior? Mund të eliminohet si defekt, pa i hequr meritë kundërshtarit. Megjithatë, sot ndoshta për herë të parë vepruan gabim krahët e mbrojtjes, sepse goli i Lushnjes erdhi si pasojë e gabimit në të djathtë të mbrojtjes sonë dhe mbrojtësit nuk ishin vendosur si duhej. Duhej më shumë vëmendje, sepse është e qartë që me një kundërshtar më të fortë do të kemi probleme.

“Partizani i Beogradit, a mundet në Elbasan? Kemi përballë një ekip shumë të fortë, por nuk do të luajmë vetëm në mbrojtje për barazim. Do të jemi më agresivë, edhe pse do të duhet të bëjmë disa ndryshime në skuadër dhe në vendosje, pasi e kemi pak problem kur kapemi në kundërsulm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *