Trajneri lushnjar ka në dyshim kapitenin Sefa, por është i bindur se kundër Teutës skuadra do të luajë lirshëm dhe do të japë maksimumin
Trajneri i Lushnjës Dritan Çuko ka folur para ndeshjes me Teutën, duke treguar gjendjen e skuadrës, por dhe pritshmëritë për këtë takim. Fillimisht Çuko ka evidentuar faktin se presioni është te skuadra kundërshtare dhe ekipi i tij do të zbresë në fushë për të marrë rezultat pozitiv: “Ne të gjitha ndeshjet që i kemi luajtur, nuk i kemi luajtur për t’i humbur. Kemi bërë lojën tonë pavarësisht se në disa ndeshje na kanë ndikuar faktorë të tjerë. Si në të gjitha ndeshjet edhe në takimin me Teutën do të hyjmë në fushën e lojës për të marrë rezultatin pozitiv. Ne jemi munduar gjithmonë gjatë gjithë kohës që t’u flasim futbollistëve, t’i karikojmë për një lojë të bukur, për t’u kënaqur vetë dhe për të marrë një rezultat pozitiv. Presioni është tek kundërshtari, ndërsa ne nuk kemi se çfarë të humbasim. Siç e thashë edhe më sipër ne i kemi përgatitur të gjitha ndeshjet për të marrë rezultat pozitiv. Kështu, kemi përgatitur edhe ndeshjen me Teutën”, deklaroi tekniku Çuko.
Në lidhje me gjendjen e ekipit numri 1 i pankinës u ndal te gjendja e kapitenit Sefa, për të cilin u shpreh se do të vendoset vetëm para ndeshjes nëse do ta nisë takimin që nga minuta e parë apo jo: “Do të shikojmë gjendjen e Sefës deri në minutat e fundit. Ka dalë në stërvitje dhe do të flasim përsëri me Sefën. Pastaj, grupi tjetër përveç Alushit të skualifikuar dhe kontingjentit të dëmtuarve të tjerët janë gati”, përfundoi trajneri i Lushnjës, Dritan Çuko. Lidhur me aktivizimin e lojtarëve të rinj timonieri i Lushnjës konfirmoi kapitenin e skuadrës së të rinjve Mario Korreshin, të cilin e ka thirrur sërish në 18-she.
Formacioni i mundshëm i Lushnjes (4-4-2)
Spaho – Magani, Premçi, Bufasi, Mone – Meto, Gava, Papa, Branica – Canka, Pepa