Para ndeshjes Lushnja-Kukësi, kryetari i Bashkisë, Fatos Tushe, i shoqëruar nga zëvendëspresidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri dhe presidenti i Kukësit Safet Gjici kanë inauguruar stadiumin e rikonstruktuar. Federata ka kontribuar duke ndërruar tapetin e stadiumit, ndërsa Bashkia ka rikonstruktuar ambientet e brendshme dhe rrethimin. Ajo që habit është fakti që në inaugurim mori pjesë edhe presidenti i Kukësit Gjici, që së bashku me të tjerët në fund të ceremonisë shkelmuan topat drejt tifozëve. Ndoshta Gjici ka studiuar stadiumin e Lushnjës, për ta ndërtuar një të tillë në Kukës, ku “Zeqir Ymeri” ka degraduar shumë shpejt.
Goditet me gur fizioterapisti i Kukësit
Nuk ka kaluar pa incidente ndeshja e djeshme mes Lushnjes dhe Kukësit. Gjatë gjithë lojës u desh disa herë ndërhyrja e stafeve mjekësore, për të parë gjendjen e lojtarëve. Në fraksionin e dytë, mjekët e Kukësit shkuan për të ndihmuar Rustem Hoxhën pas një goditje të marrë, por ka qenë fizioterapisit i Kukësit, Erjon Baçova, ai që ka marrë një goditje në gju. Nga jashtë rrethimit të stadiumit ka fluturuar një gur që ka goditur pjesëtarin e stafit mjekësor të Kukësit, i cili për disa minuta ka qëndruar i shtrirë në fushë. Gjyqtari i ndeshjes u konsultua me pjesën tjetër të ndihmësve të tij në ato momente. Baçova ka marrë më pas ndihmën e kolegut të tij dhe gjendja ka qenë e mirë, megjithatë nuk ka lëvizur deri në fund të takimit nga stoli. Tashmë pritet dënimi nga Komisioni i Disiplinës.
Porta më e lartë, rregullohet para ndeshjes
Kur skuadrat kanë dalë në stërvitje para ndeshjes, trajneri i tyre ka vërejtur një problematikë tek një prej portave. Ermal Nexhipi ka sinjalizuar zyrtarët e FSHF-së , të cilët pasi e kanë konstatuar diçka të tillë kanë dhënë urdhër që kjo gjë të ndreqet. Punëtorët e fushës menjëherë kanë ndërhyrë dhe e kanë shkurtuar portën, që ishte pesë centimetra më e lartë se norma.