Çoba shënon në fitoren e Shqipërisë U-21, por ndryshime në listë dhe nuk vjen Armando Dobra

Shqipëria U-21 po vazhdon përgatitjet për ndeshjen që do të zhvillojë ndaj Republikës Çeke në transfertë më 6 shtator, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023.

Skuadra është grumbulluar në Elbasan që prej ditës së diel, ku po vazhdon stërvitjet intensive, me nga dy seanca çdo ditë. Ndërkohë, lista e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Alban Bushi ka pësuar sërish ndryshime. Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se mesfushori Armando Dobra nuk ka udhëtuar drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar skuadrës për arsye personale dhe nuk do të jetë pjesë e kuqezinjve në këtë ndeshje.

Ndërkaq, siç ishte parashikuar edhe në grumbullimin paraprak, edhe Eljon Tuci nuk do të jetë pjesë e skuadrës së drejtuar nga Bushi, duke iu bashkuar Kombëtares U-19 të Cungut, që do të zhvillojë ditën e premte në stadiumin “Selman Stermasi” ndeshjen e parë ndaj Izraelit.Ditën e enjte, ekipi i drejtuar nga Alban Bushi ka zhvilluar një ndeshje miqësore ndaj Akademisë së Futbollit U-19, ku ka fituar bindshëm me rezultatin 5-0, me kuqezinjtë që ishin dukshëm superiorë gjatë gjithë ndeshjes. Golat u shënuan nga Karrica e Marinaj, të cilët realizuan nga një dy golësh secili si dhe sulmuesi i Vllaznisë, Mehdi Çoba. Bushi hodhi në fushë këtë formacion: Molla, Marku, Selmani, Pëllumbi, Ismajlgeci, Çelhaka, Lakti, Mehmeti, Karrica, Nikqi, Çoba. Në pjesën e dytë të lojës, tekniku kuqezi aktivizoi edhe lojtarët e tjerë të grumbulluar për ndeshjen ndaj Çekisë.

Kuqezinjtë do të nisen me 4 shtator drejt Republikës Çeke, ku do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv. Kjo është ndeshja e dytë kualifikuese për ekipin e Shpresave. Sfida e parë e luajtur më 4 qershor në Andorra përfundoi në favor të kuqezinjve, me shifrat 0-3.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *