Tre sezone në nivele të larta me Vllazninë e kanë konfirmuar Erald Çinarin si një ndër talentet më të mëdhenj në Superiore dhe tashmë duket se mesfushori do të bëjë karrierë jashtë vendit.
Anësori ofensiv, i cili te Shqipëria U-21 shumë rrallë është grumbulluar, tashmë shkon në Spanjë, sepse ka marrëveshje me Alavesin.
Klubi i La Ligas ka kohë që e vëzhgon dhe ka marrë këshilla nga persona të besuar që operojnë si vëzhgues në Ballkan.
Në sezonin e fundit Çinari luajti 33 ndeshje e shënoi 6 gola në Superiore, ndërsa tani provon veten jashtë Shqipërisë, edhe pse nuk dihet ende nëse Alavesi do ta mbajë në ekip, apo do ta huazojë gjetkë, pasi është e qartë që Çinari ka nevojë të luajë dhe të grumbullojë eksperiencë.
Në këtë mes fiton edhe Vllaznia, edhe pse nuk dihet ende shifra që përfiton klubi shkodran, që në të shkuarën ka pasur humbje kolosale me largime lojtarësh falas apo për shifra modeste.