Çfarë nuk u pa në TV kundër Ukrainës/ De Biazi kthehet prapë te Shqipëria, mbetet ende një “lojtar i madh klasi”

Shqipëria e ka mbyllur këtë edicion në Ligën e Kombeve. E nisëm në mënyrën më të mirë të mundshme me një fitore në transfertë kundër Ukrainës dhe e mbyllim me një humbje në shtëpi, po ndaj Ukrainës. Për fat të keq, me këtë rezultat, kuqezinjtë mbajnë vendin e fundit në grup. Por përtej gjithë situatave të përmendura dhe të para në TV, çfarë nuk u pa në transmetim?

E nisim me De Biazin, njeriun që konsiderohet ende si një Zot në Shqipëri pasi ishte i pari që na dërgoi në Europian, me një bazë lojtarësh shumë të thjeshtë. Gjithmonë e kemi përmendur se De Biazi rezultoi jo vetëm një trajner i mirë për Shqipërinë, por edhe një “lojtar i madh”. Pasi preku pikën e dobët të shqiptarëve, shpesh e shihnim duke dalë në foto me veshje tradicionale dhe në frymën e patriotizmit.

Menjëherë kërkoi të mësonte dhe të belbëzonte himnin tonë, ndërsa të njëjtën histori e përsëriti edhe në Azerbajxhan. Madje atje shkoi një hap më tej duke thënë se përderisa e arriti Europianin me Shqipërinë, me ta ishte një mision fare i lehtë. Por pasi dështoi, u shpreh se në Shqipëri futbolli përjetohet shumë më ndryshe se në Azerbajxhan.

Pra De Biazi shfaqet pikërisht në këtë moment kur Shqipëria nuk ka rezultate të mira. Nuk është hera e parë që italiani shfaqet në stadium kur Kombëtarja jonë është në momentet e saj “JO”. Shqiptarët ruajnë ende shumë respektin për të, shumë tifozë e përshëndesnin dhe i kërkonin foto. De Biazi ishte po ashtu i përzemërt dhe dashamirës, bëri foto me të gjithë dhe nuk la asnjë shqiptarë aty pranë të pakënaqur.

Zhgënjimi ishte Shevcenko. I gjendur në stadium dhe me shqiptarët si adhuruesë të mëdhenj të futbollit italian, ku shumëkush e ka pasur idhull Shevcenkon, kërkuan që të bënin foto me të. Por legjenda e Milanit nuk ishte aspak i thjeshtë, shpesh shikonte i hutuar dhe kërkonte të shmangte çdo kërkesë të tifozëve.

Një mosmarrëveshje e vogël ishte edhe në momentin e gjuajtjes së penalltisë. Uzuni kërkoi që të merrte topin për të ekzekutuar 11-metërshin, ndërsa nga ana tjetër Bajrami ishte gati për ta marrë përsipër. /Sport Ekspres/