Ajo marrëdhënie e thyer me Atalantën nuk mund të kthehej përsëri në normalitet dhe Alehandro Gomez zgjodhi të linte shiritin e kapitenit për t’u transferuar në La Liga. Në kampionatin spanjoll, 32-vjeçarin e priste fanella e Sevijes, me të cilën mposhti Barcelonën në gjysmëfinalen e parë në Kupën e Mbretit.
Në përfundim të takimit ajo që tërhoqi vëmendjen ishte biseda e shkëmbyer mes Papu Gomez dhe Leo Mesit. Kurioziteti për të mësuar se çfarë u diskutua mes tyre ishte i madh për mediat dhe tifozët, por ish-kapiteni i Atalantës u ka shuar të gjithëve kureshtjen.
“Ne folëm për shumë gjëra në përgjithësi. Ai gjithashtu më pyeti se çfarë kishte ndodhur me Atalantën dhe fakti që e gjeta veten në Spanjë i kishte tërhequr vëmendjen e tij tek unë. Ishte një bisedë midis miqve dhe është gjithmonë kënaqësi të kem disa fjalë me kapitenin tim të Kombëtares. E ardhmja e tij? Jo, ai nuk më tha asgjë. Unë e dua shumë Leon, ai është kapiten i ekipit argjentinas dhe unë dua më të mirën për të“, tregon Papu Gomez./Halit Delibashi-Sport Ekspres/