Kampionët e Anglisë kanë fituar 5-3 kundër Noruiçit pas gjuajtjeve të penalltive teksa koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën 1-1
Çelsi është skuadra e fundit e kualifikuar për në 1/16 e finaleve në Kupën FA, pasi ka mundur Noruiçin 5-3 pas gjuajtjeve të penalltive teksa koha e rregullt dhe shtesa ishin mbyllur 1-1. Pas barazimit zhgënjyes në Noruiç 0-0, Çelsi u detyrua në një ndeshje shtesë, këtë herë në fushën e vet dhe londinezët nuk kanë zhgënjyer, ndonëse kanë vuajtur jo pak. Ndonëse nuk kanë zhvilluar takimin e tyre më të mirë, finalistët e sezonit të kaluar kanë siguruar kualifikimin për më tej.
Miçi Batshuai, titullar në takimin e sotëm, ka shënuar 10 minuta nga fillimi i pjesës së dytë, duke kaluar përpara Çelsin. Por kur po mendohej se gjithçka do të mbyllej 1-0, në frymën e fundit Xhamal Luis ka barazuar për Noruiçin, duke e çuar takimin në shtesë.
Edhe në shtesë nuk ka gola, por plot dramë teksa Pedro e Morata ndëshkohen me karton të kuq për ekipin e Kontes. Për të mësuar ekipin e kualifikuar duhen pritur penalltitë, aty ku Çelsi nuk gabon asnjë. Kështu Çelsi mbetet ende në garë dhe në turin tjetër do të përballet me Njukasëllin.