“Çela më jepte këshilla nga tribuna“, Kuli flet pas barazimit me Partizanin: Jemi një ekip simpatik, e përjetova shumë këtë sfidë

Partizani ka marrë sot barazimin e parë për këtë sezon në “Abissnet Superiore“. Të kuqtë janë ndalur nga Kastrioti në një ndeshje që përfundoi me rrjeta të paprekura për të dy ekipet. Kryeqytetasit kanë provuar disa herë për të gjetur golin, por pa sukses. Ekipet ndajnë nga një pikë në “Elbasan Arena”, duke dështuar të gjejnë rrugën e rrjetës. Kastrioti mban vendin e 6 në renditje, ndërsa Partizani ruan ende kreun e “Abissnet Superiore“-s. Megjithatë pozitat në vendin e parë nuk janë aspak të sigurta, teksa Tirana e ndjek me vetëm 1 pikë diferencë. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti bo gol“ në “Oversport“.

Kuli (Kastrioti): “Ishte një ndeshje e fortë. Dominuam në pjesën e parë, ndërsa Partizani luajti më mirë në pjesën e dytë. Ne u munduam të luanim në kundërsulm. I gëzohemi kësaj pike. Ishte një pikë me vlera përballë një kundërshtari të fortë që ka pretendime të mëdha. Kishim disa probleme në startin e sezonit, por dita-ditës gjërat janë përmirësuar. Jemi të kënaqur shumë me djemtë, që punojnë shumë mirë çdo ditë në stërvitje. Çela në tribunë? E Kisha pas shpine dhe më jepte këshilla gjatë gjithë ndeshjes. Edhe ai kishte emocione, edhe unë vetë e përjetova shumë këtë sfidë. Jemi të dy shumë të kënaqur me këtë pikë, që i morëm skuadrës kryesuese. Ne jemi një ekip simpatik, që synojmë mesin e renditjes

Kolela (Partizani): “Bëmë një ndeshje të mirë. Goditëm portën në disa raste, por i tillë është futbolli. Mund të krijosh shumë dhe të mos fitosh dhe me një rast të fitosh. Nuk bëmë një ndeshje të keqe, por as shumë të mirë. Nuk arritëm që të mbanin ritmin gjatë gjithë ndeshjes, siç kemi bërë herët e tjera. Por kjo edhe për meritë të kundërshtarit. Partizani i varur nga Skuka? Është një statistikë? Edhe mund të jetë, nuk ka asgjë të keqe. Sot goditëm portën në disa raste, por nuk arritëm të shënonim. Kur je i pari në renditje, kundërshtarët luajnë në mbrojtje, prandaj duhet të përgatitemi edhe për këto situata. Pse u ndërrua Hoti? E njëjta lëvizje që bëra me Vllazninë, por atëherë nuk më pyeti njeri. Doja më shumë hapësira nga krahët, për të krijuar më shumë rrezik në sulm”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *