Në tryezën e Lacios është një ofertë konkrete prej 30 milionë eurosh nga Bajer Leverkuzeni për Thomas Strakoshën, por ndërkohë duket se drejtuesit e klubit roman presin nisjen e ankandit, për të përfituar sa më shumë.
Portieri kuqezi është vetëm 23 vjeç dhe prej 2 sezonesh po shkëlqen në Serinë A, ndaj është një investim i sigurt për shumë vite. Kjo bën që vlera e tij në treg të vijë në rritje dhe Lacio nuk e lëshon lehtë.
Sot Calciomercato.com shkruan se në garë është futur edhe Liverpuli. The Reds janë zhgënjyer jashtëzakonisht nga gafat e Loris Karius në finalen e Champions League dhe duan një portier më të besueshëm.
Në listën e Jyrgen Klopit janë edhe Alison i Romës dhe Jan Oblak i Atletikos, por të dy janë objektiva tepër të ndërlikuar dhe me çmim mbi 60 milionë euro. Me rreth 35 milionë euro, Liverpuli mund të marrë Strakoshën, një portier që te Lacio ka qenë konstant dhe garanci.