Pavarësisht negociatave me shumë futbollistë, krutanët kanë punuar edhe me rinovimet. Pak ditë më parë listës së futbollistëve iu shtua edhe Albert Caca, i cili do të veshë fanellën krutane edhe në sezonin në vazhdim. Në një prononcim të shkurtër për gazetën, Caca e komenton kështu, ofertën e klubit.
“Në fakt e prisja një ftesë për rinovim, pasi besoj se edhe unë si shumica e pjesës tjetër të skuadrës kam dhënë kontribut në arritjen e objektivave sezonalë. Jam i kënaqur dhe jam i gatshëm që të jap më të mirën për këtë fanellë, ashtu si kam bërë deri më tani.
Përsa i përket sezonit, Kastrioti ka ruajtur boshtin e skuadrës dhe nëse bëhen ato afrime që janë deklaruar nga drejtuesit, e shoh si të mundur arritjen e objektivit edhe në Superligë, pasi ka me të vërtet një grup cilësor. Sa i takon të ardhmes time, uroj që të bëj paraqitje të mira këtë sezon, pastaj të shohim si do të venë punët, pasi të jemi realist ofertat që kemi pasur nuk është se më kanë bërë të tundohem”, deklaroi Caca, njëri prej futbollistëve që i është ofruar kontrata e rinovimit së fundmi nga Kastrioti.
Bujar Balliu