Nga Shpresat e Shqipërisë pritej shumë, ndoshta tepër, duke ditur sa forcë e sa traditë kemi. U mundëm dy herë rresht nga Sllovakia, herën e dytë duke bërë një figurë aspak të mirë, por Alban Bushi nuk i pranon kritikat, që sipas tij janë të tepruara. Trajneri i Shqipërisë U-21 pohon me bindje se do të ishte një Shqipëri tjetër po të ishin gjithë titullarët, që në fakt nuk ishin pak, por gjysmë ekipi, që mungonin në dy ndeshjet e fundit.
“Mendoj që pas një humbje të thellë, siç edhe ishte kjo 4-1, nuk ndihem mirë, ashtu si opinioni publik. Por, çdo humbje ka një analizë. Ne si staf bëmë analizën dhe shikojmë se ku kemi gabuar. Pas humbjes së parë nga 2-1 në 2-3, ekipi pësoi një farë goditje psikologjike dhe ndikoi edhe te ndeshja e dytë. Duke parë terrenin në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe pas dy ditësh në transfertë, lojtarët me pak minuta në këmbë dhe pak alternativa, mendoj se do të ishte e vështirë”.
Gabimet e skuadrës në fazën mbrojtëse binin në sy…
Duke parë ndeshjen, bëmë gabime amatoreske dhe individuale. Ekipi nuk ishte i shthurur, por i vendosur mirë. Ishin gabimet individuale ato që na dënuan. Të luash ndaj një ekipi si Sllovakia me cilësi dhe fizikisht shumë lart, që kanë futbollistë që luajnë në kampionatin çek, por sidomos duke ditur se lojtarët tanë nuk kanë shumë minuta në këmbë dhe duke pasur vetëm një stoper, pasi Tafa mbetet, Toli futet për emergjencë, atëherë kundërshtari të dënon dhe ndëshkon me një humbje. Për lojën që kemi zhvilluar, nga 1 vit e gjysmë që unë jam në krye të Shpresave, mendoj se kemi marrë atë që kërkojmë. Jemi munduar që topin ta mbajë në zotërim sa më shumë ekipi ynë dhe e kemi realizuar. Jemi munduar që të qarkullojmë topin sa majtas dhe djathtas dhe ia kemi dalë. Jemi munduar të luajmë sa më shumë vertikalisht dhe e kemi realizuar, ashtu sikurse të rifitojmë topin që në mesfushë apo të bëjmë presing… Këtë e keni parë dhe ju vetë (i drejtohet gazetarëve) në të gjashta ndeshjet, pasi keni sy dhe tru. E vetmja ndeshje ku ekipi nuk u përgjigj ashtu si duhet është kjo në Sllovaki.
Pse kaq pak pikë dhe kaq shumë rënie në rezultate në ndeshjet e fundit?
Një justifikim janë mungesat e mëdha dhe fakti që disa lojtarë kanë qenë pjesë e ekipit kombëtar A që theksoj se sa herë do t’i nevojitet mund të marrë nga U-21. Si Ramadani, si Abazaj, si Bare, janë të rëndësishëm dhe lojën e kemi ndërtuar në bazë të tyre. Pa harruar mungesat e tjera si Selmani, Durmishaj, Zeka, Laçi, Doka, Krymi, Muçoli, Krymi, Çekiçi, Ramadani dhe Bare, janë 11. Edhe nëse Spanjës apo Argjentinës po t’i hiqje qoftë edhe gjashtë do të kishin problem. Madje, Argjentinës edhe vetëm Mesin, siç ndodhi. Jo më ne që jemi ekip i vogël, një vend që po rritemi dhe kemi shumë probleme, ku na mungojnë 11 lojtarë. E megjithatë, duhet të përmirësohemi dhe ecim përpara. Eshtë krenari që ekipi A të merr tre lojtarë, pse jo edhe Rei Manaj është rifituar, aq sa ju e kishit harruar. Pas 2 vitesh e ca që nuk luante me Shpresat kthehet dhe bën 3 gola dhe tani është gati për kombëtaren A.
Çfarë mbetet për të ardhmen, tani që eliminatoret po mbyllen pa sukses?
Kur ju kam thënë se e ardhmja e Shqipërisë është në duar të sigurta, disa qeshnin dhe nuk e besonin, por tani është fakt, sepse tri të tillë i mori kombëtarja e madhe. Që pas vitit 1975 kurrë ekipi Shpresa nuk ka dërguar tre lojtarë në ekipin A, brenda 2-3 ditëve ndeshje. Kjo është diçka e mirë, që po furnizojnë ekipin. Janë edhe dy lojtarë që Panuçi ka në plan, si Rei Manaj, që është sulmuesi shqiptar më i mirë për momentin, por edhe Emanuele Ndoj. Pra, që në total bëjnë pesë dhe ky është një realitet. Një objektiv që ekipi Shpresa ka realizuar, sepse ato i bëjmë ne dhe jo ju. Por, patjetër që rezultatet të lënë… Duke thënë këtë, që një lojtar i U-21 të shkojë te ekipi A ta ketë në mendim të luajë shpejt, vertikalizojë, ta qarkullojë dhe mbajë. Të mos shkojë aty të rrijë në mbrojtje, por me personalitet.
Manaj është kthyer në kombëtare, edhe pse nuk po luan prej kohësh te Granada.
E vërtetë që ka 5 muaj pa luajtur, por ne e zbuluam dhe rikthyem. Sigurisht, kur them zbulim e kam në sensin që patëm guxim që e morëm, pasi sigurisht kombëtarja e madhe nuk mund ta merrte pa minuta në këmbë. Sigurisht, ai njihet prej 4 vjetësh, nuk është se ne e zbuluam. Them zbuluam për momentin. E morëm këtë radhë, folëm me të dhe dha maksimumin. Shembullor, duke luftuar dhe sakrifikuar për ekipin, mendoj se duhet të jetë për ekipin e parë A.
Ndeshjet e ardhshme, me Spanjën…
Spanjën e njohim të gjithë. Por, unë do të vazhdoj të mendoj me mendimin se Spanjën do ta mundim këtu dhe do t’i marrim 1 pikë atje, ndërsa Estoninë do ta mundim. Pra, shtatë pikë në total. Spanja mundi Estoninë, në fund, ndërsa ne Estonisë i bëmë 20 raste për gol në Tiranë. Kemi 3 ndeshje, do të mundohemi të bëjmë me kujdes, pasi është Spanja, por duhet menduar pozitivisht. Objektivin e realizuam, duke çuar tre lojtarë te ekipi A. Edhe në Sllovaki, nëse keni parë ndeshjen, pas 2-1 të tyre patëm rast me Manaj dhe na u mohua edhe një penallti.
Kosova U-21 barazoi me Gjermaninë dhe kishte përbërje thuajse e gjitha vendase. A është normale që ne të marrim vetëm jashtë dhe a mund të imitohet Kosova, që imponon përfshirjen e një lojtari U-21 në çdo ekip në Kosovë?
Kjo është një strategji që Kosova ka ndjekur, me sukses. Gjithsecili ka strategjinë e tij. Ne kemi shumë lojtarë, sidomos te moshat. Jemi vend i vogël që po ngrihemi dita-ditës. Barazimi me Gjermaninë është shumë pozitiv. Kosova ka futbollistë shumë, ndoshta më shumë se ne për momentin, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj. Për sa i përket përfshirjes së një të riu nga U-21 në ekipet e kampionatit shqiptar, federata po e mendon dhe nuk është diçka e keqe, edhe pse e vështirë. Duhet të kemi të qartë diçka: sado me detyrim të bëhet përfshirja e të rinjve në skuadra, nuk është e thënë që ata do të bëhen futbollistë cilësorë dhe më të mirë se ata që luajnë jashtë.
Shumë kontradikta me Kosovën për talentet. Ne nuk na pëlqen dhe na duket gogol, por ata janë kombëtare më vete tashmë. A mos duhet të ndalim një herë e mirë tentativat për të afruar djem kosovarë?
E kam thënë, kush është shqipfolës do ta marrim. Nuk dua të përmend emra, por ka nga ata që luajnë te Kosova aktualisht, na kanë telefonuar dhe kemi shkuar i kemi parë, i pëlqyem dhe morëm në dy apo tre ndeshje dhe më pas thotë dua të iki te Kosova. Pra, janë vetëofruar. Kemi ftuar futbollistë kosovar dhe na kanë thënë “po”, por nëse zgjedh Kosovën nuk ka problem. Si te ne, si te ata. Mundet edhe që një shqiptar të shkojë te Kosova.
Duhen mbrojtës, është e vërtetë që po mundoheni të afroni Nehar Sadikin, mbrojtësin e Rabotniçkit?
Kemi pasur kontakt, e vërtetë. Ai është me origjinë shqiptare dhe do të donte të bashkohej me ne, por nuk është e lehtë. Ai luan për Maqedoninë U-21, e ndoqa të martën në televizion, në ndeshjen kundër Austrisë U-21. Bëhet fjalë për një mbrojtës të fuqishëm dhe shumë të zotin në lojën ajrore, që do na ndihmonte shumë. Megjithatë, situata e tij do ndërlikohej shumë në klubin e vet, nëse braktiste Maqedoninë për të luajtur për ne. Nuk është situatë që zgjidhet lehtë.