Alban Bushi sërish i shkon pranë rezultatit pozitiv, por si shpesh në këto kualifikuese Shqipëria U-21 dështon në fund, apo merr shumë më pak nga sa do të kishte mundësi. Faj i skuadrës apo i trajnerit? Në fakt, Bushi humbjen 3-2 në Tiranë ndaj Sllovakisë, me dy gola të pësuar në 10 minutat e fundit, e sheh krejt ndryshe dhe gota është gjysmëplot: “Edhe pse dolëm nga gara për vendin e dytë, jam shumë i gëzuar, pasi ekipi i ka kryer detyrat deri në minutën e 70-të. Përgëzoj ekipin për zemrën që dha në fushën e lojës. Mendoj se aty ku ne kishim frikë, në 20 minutat e fundit, atje u ndëshkuam.
“Nuk dua të justifikohem, por kishim shumë debutues që kanë luajtur në këtë takim. Luajtëm përballë një ekipi që ka minuta në këmbë, ndërsa futbollistët tanë, nuk luajnë titullarë në ekipet e tyre. Kjo na ka penalizuar, megjithatë kjo Shqipëri premton për të ardhmen. Nuk kisha luksin e stolit, kam futur një mbrojtës në vendin e mesfushorit. Kemi dominuar gjithë lojën dhe jemi ndëshkuar me dy gola në minutat e fundit”.