Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, ishte shumë i kënaqur nga fitorja kundër Bjellorusisë, por mbi të gjitha i gëzohet lojës së përmirësuar dhe paraqitjes së mirë të disa lojtarëve, si Emir Sahiti e Shefiti, dy futbollistë me të ardhme të rëndësishme. “Fitorja nuk është e rëndësishme, sepse prioritet është të evidentojmë elemente për edicionin e ardhshëm. Megjithatë, fitorja duhej edhe për moral, sepse është ekip i ri, shumica e lojtarëve është hera e parë që shihen me njëri-tjetrin dhe ishte shumë e vështirë që të kombinoheshin mirë.
“Gjithsesi, jam shumë i gëzuar për atë që kanë dhënë lojtarët. Ndeshje të tilla, në fund të qershorit, janë problematike, motivimi është i vështirë për t’u gjetur. E kundërta vlen për Bjellorusinë, që ishte më lart se ne fizikisht, luajti me titullarët, të cilët janë në kulmin e sezonit. Ne dolëm te loja jonë, edhe pse bëjmë disa gabime.
“Jam shumë i kënaqur që 3-4 lojtarë janë fituar sot, ashtu si 2-3 lojtarë në ndeshjen e shkuar me Bosnjen. Janë lojtarë që vlejnë dhe do i grumbulloj edhe për ndeshjen miqësore në nëntor ndaj Maltës, sepse janë datëlindja ’98-’99, ndërsa kundërshtari kishte lojtarë të datëlindjes 1996”, deklaroi Bushi pas ndeshjes.