Burreli i Ahmatajt fluturon me Beçkën dhe “djeg” trajnerin e Besëlidhjes

Skuadra matjane është ndryshe, e nis me fitore dhe rrit shpresat për mbijetesë

Albi Lala

Matjanët kanë fituar dje në “Liri Ballabani” një ndeshje të vështirë, por kanë siguruar tri pikë shumë të dobishme për mbijetesën e ekipit. Madje në fund të saj nuk kanë munguar lotët e stafit drejtues, tifozëve dhe lojtarëve dhe dhanë maksimumin në fushën e lojës. Sakaq kjo përballje solli edhe dorëheqjen e trajnerit Gledis Lani. Pjesa e parë prodhoi më shumë volum loje dhe më shumë raste shënimi, sidomos për skuadrën e teknikut Ahmataj. Që në minutat e para të takimit vendasit sulmojnë rrezikshëm në 3’ pretendojnë për penallti, por kryesori vijon lojën normalisht. Loja herë pas here bëhet agresive, sidomos nga ana e lezhjanëve. 11’ Hasani për Besëlidhjen rrezikon portën e Selacit duke shkaktuar drithërima jo vetëm në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit të mbushur me tifozë. Edhe në 24’ Bajiç tenton me kokë portën e matjanëve. 31’ ndeshja ndalet për tre a katër minuta për t’i ardhur në ndihmë futbollistit Met’hasani, i cili disa herë kërkoi ndihmën e mjekut. Pjesa e parë mbyllet në barazim, paçka se Peçi, Ibrahimllari, Ujkaj e Mëllugja dhanë maksimumin për të shënuar në portën e Besëlidhjes.

PJESA E DYTË – Sapo nis pjesa e dytë Ibrahimllari lëshon një “silurë” drejt portës mike. Goli i vetëm i takimit realizohet në 58’. Ujkaj kroson nga këndi për kolegët e tij. Beçka ngrihet mjaft mirë mbi lojtarët shtatlartë të Besëlidhjes, gjuan saktë me kokë dhe Bajri e sheh topin në trekëndëshin e portës që ruante. Goli gëzon pa masë gjithë të pranishmit, përveç stolit dhe drejtuesve të Besëlidhjes. 71’ janë lezhjanët që tentojnë ndryshimin e rezultatit, por mbrojtja e skuadrës së Ahmatajt bëhet e pakalueshme. Minutat e mbetur sjellin tjetër cilësi loje. Vendasit mbrohen me të gjitha forcat dhe Besëlidhja nuk arrin t’i afrohet portës së Selacit. Madje, për t’i dhënë frymëmarrje ekipit trajneri i Burrelit Julian Ahmataj aktivizon dy lojtarë që kishte në dispozicion, Muçaj e Salaj.

Pas ndeshjes…

Julian Ahmataj, trajner i Burrelit: “Fatmirësisht lojën me Besëlidhjen e dominoi ekipi që unë drejtoj. Patëm raste të shumta shënimi, por Lezha erdhi me një ekip cilësor dhe shtatlartë. Skuadra tregoi shpirt gare. Ne e kemi ribërë Burrelin nga e para. Vetëm tre lojtarë kemi nga skuadra e mëparshme. Kemi federuar 25 lojtarë të rinj. Kemi pasur ndihmën e pakursyer të kryetarit të Bashkisë Mat, Nezir Rizvani. Janë dhënë fondet e mjaftueshme për ta mbajtur skuadrën në këtë kategori”.

Gledis Lani, trajner i Besëlidhjes: “Nga ky moment unë nuk do të jem trajner i Besëlidhjes. Sapo të kthehem në qytetin e Lezhës do ta dorëzoj dorëheqjen me shkrim. Skuadra në përballjen me Burrelin tregoi dobësi, nuk pati raste shënimi. Në gjykimin tim ekipi përballet me probleme serioze. Lojtarët nuk luajnë me dëshirë. Nuk gjykoj se duhet të vazhdoj të jem në krye të ekipit. Largohem sepse jemi larg objektivit”.

Burreli – Besëlidhja    1-0

Shënues: Beçka 58’

Burreli: Seleci, Stana, Simonov, Përgjoni, Mëllugja, Levendi (89’Salaj), Ujkaj, Beçka, Dervishi (54’Osmanllari), Ibrahimllari, Peçi (82’ Muçaj).  (Në dispozicion: Hila, Hasa, Salaj, Fejzaj, Muçaj, Xhuveli, Osmanllari). Trajner: J. Ahmataj.

Besëlidhja: Bajri, Dibra, Dushaj, Bajiç, Erkoçeviç (70’ Malaj), Dore, Frroku, Methasani, Kamara, Ndreca, Hasani (68’ Miloti)  (Në dispozicion: Jaku, Prendi, Konte, Zhejani). Trajner: G. Lani.

Gjyqtarë: O. Sokoli, G. Qirici, E. Potoni, R. Muska (Tiranë)

 

Kartonë të verdhë: Ibrahimllari 36’, Mëllugja 79’, Osmanllari 81’ / Dore 66’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *