Nevil Dede ka analizuar Kombëtaren shqiptare pas dy paraqitjeve zhgënjyese të zhvilluara së fundmi. I ftuar në studion e emisionit “Skaner”, trajneri shqiptar veçon Armando Brojën në formacionin e Shqipërisë. Sipas tij sulmuesi i Chelsea-t është i paprekshëm për kuqezinjtë, ndryshe nga pjesa tjetër e lojtarëve. Dede gjithashtu nxjerr në pah mungesën e një lideri në ekip.
“Mua po më rezulton se ne nuk dimë të sulmojmë, jo vetëm me sulmuesat tanë, por edhe me tre mbrojtësat e qendrës nuk ruajmë dot gjerësinë e fushës kur ne dalim para dhe në kundërsulmet e kundërshtarit. E para, kë ka lider Shqipëria? Shiriti po ndërron krahë thuajse në çdo vit. Lojtarët tanë luajnë në Seria A të gjithë? Po në vitin 2000 duhet të bëje trefishin e punës që bëjnë sot lojtarët për të shkuar në Serinë A, ka më shumë mundësi tani. Sot mund të shkosh edhe direkt nga Shqipëria në Seria A, atëherë nuk ishte kjo, po gjithsesi është temë tjetër.
Shikoj që kritikojnë Brojën. Në pjesën e parë, Broja i sajoi të gjitha gjërat vetë nga këmbët e tij. Ne duhet të dërgojmë Shqipërinë në shërbim të Brojës. Unë e shikoj, e do gjithë Shqipëria. Pse ne marrim më shumë vesh nga futbolli se gjithë Shqipëria? Pjesa e parë e jona ishte kuturu, pa ide, dilnim para vetëm me Brojën dhe ndonjë krosim. Për mua vetëm Broja është i paprekshëm te Shqipëria, të gjithë të tjerët janë të prekshëm. Dikur e thoja me humor, por ne nuk kemi një sallaks te Shqipëria, vetëm Berishën, nuk gjuan dot njëri me të majtën”, ka thënë Nevil Dede./Halit Delibashi-Sport Ekspres/