Lazio ka pësuar një transformim qartësisht të dukshëm vitet e fundit. Për disa sezone ka qenë në një luftë deri në ndeshjen e fundit me Interin për një vend në Champions League, ndërsa këtë herë objektivi ka ndryshuar, teksa po lufton dhëmbë për dhëmbë me Juventusin për titullin kampion. Një grup lojtarësh të cilët kur dora e Tares i bëri bashkë në fillim ndoshta nuk do të mendohej se do të arrinin deri në këto nivele kaq të larta. Por e kundërta ka ndodhur dhe nëse nuk përfundojnë me trofe në duar, e sigurtë që do të përfundojnë me shumë para në arkat e tyre. E kjo vetëm falë Igli Tares.
Ky i fundit ka treguar një nuhatje të frikshme që nga momenti kur është bërë drejtor sportiv i Lazios, duke hequr sa më pak nga llogaria e klubit e duke bërë që në të të hyjnë shumë më tepër. E nëse i hedhim një sy disa prej blerjeve më të goditura të tij, atëherë do e kuptojmë mjaft mirë se përse ish-futbollisti shqiptar konsiderohet një nga më të zotët në rolin e tij. Keita Balde do të vishej bardhekaltër për një vlerë prej 300 mijë eurosh e për t’u shitur më pas për shifrën e 30 milionë eurove. Por një bizes mjaft të mirë Tare ka bërë edhe me Felipe Anderson dhe Hoedt. I pari i kushtoi Lazios vetëm 8 milionë euro, ndërsa West Ham u desh të paguante edhe 30 milionë më tepër për ta marrë nga klubi Italian. Ndërkohë i dyti erdhi me parametra 0 dhe u shit për 16 milionë euro.
Megjithatë përpos tyre Lazio vijon të ketë në gjirin e vetë një minierë të vërtetë ari, me lojtarë të cilët u është rritur vlera ndjeshëm përgjatë këtyre viteve. Nisur nga porta, që mbrohet prej Strakoshës, i cili mbërriti te bardhekaltrit për 75 mijë euro e tani vlerësohet me një vlerë pre 20 milionë. Një tjetër blerje e goditur është edhe Immobile, që jo vetëm i justifikoi ato 9 milionë euro të shpenzuara për të, por e ka shumëfishuar vlerën e tij në treg duke kapur shifrën e 40 milionëve.
E për të vazhduar më pas me Milikoviç-Saviç, Correan dhe Luiz Alberto, të cilët të tre bashkë kushtuan 37 milionë euro. Por tani për të pasur shërbimet e tyre klubet e mëdha të arenës europiane duhet të shkundin xhepat, teksa lojtarët vlejnë respektivisht 64, 30 dhe 44 milionë euro. Pra kemi të bëjmë me një fabrikë që vetëm gjeneron të ardhura, ku nëse marrim në konsideratë rastet e mësipërme atëherë vëmë re një total shpenzimesh prej 54.375 milionë eurosh e ndësa fitimet kapin një vlerë prej 282 milionë eurosh, që përkthehet ndryshe në 335 herë më shumë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/