Bledi Shkëmbi ka nisur punën për kompletimin e Teutës, për të qenë të përgatitur dhe të plotë për sezonin e ardhshëm. Trajneri i ri i skuadrës durrsake duket se krahas “krasitjes” së skuadrës së sezonit të shkuar, ka ndërmend të afrojë edhe disa lojtarë që i njeh mirë dhe natyrisht Liria e Prizrenit është një mundësi e mirë për të marrë disa lojtarë, pasi Shkëmbi punoi për një sezon aty dhe krijoi marrëdhënie shumë të mira me futbollistët.
Dy prej tyre tashmë janë pjesë e Teutës, sepse klubi durrsak ka lajmëruar firmën me mesfushorin ofensiv Florent Avdyli dhe mesfushorin qendror Roni Gashi. Të dy ishin lojtarë të rëndësishëm te Liria dhe kishin disa oferta, por Shkëmbi i ka bindur të bëhen pjesë e Teutës.