Brenda pak orësh këtë të premte në Athinë kanë ndodhur disa lëvizje të bujshme. Trajneri Marinos Uzunidhis, që sapo ka lënë drejtimin e Panathinaikosit, ka marrë drejtimin e AEK-ut. Kampionët e rinj të Greqisë kanë larguar trajnerin Manolo Himenez, edhe pse ky i fundit mbylli një sezon historik. Spanjolli nuk e ka rinovuar kontratën, pasi pret të transferohet në kampionatin spanjoll.
Las Palmasi i bëri një ofertë ditët e fundit dhe Himenez rriti kërkesat financiare ndaj AEK-ut, që ndërroi mendje dhe nuk i ofroi më rinovim. Uzunidhis u largua nga Panathinaikosi para pak javësh, aty ku punoi me sukses mes vështirësish pa fund. Tani Uzunidhis merr me vete edhe Bledar Kolën, zëvendësin e tij, i cili hedh një tjetër hap përpara, sepse shpreson të vazhdojë të grumbullojë eksperiencë, edhe në nivel ndërkombëtar, me AEK-un që do të marrë pjesë në kualifikueset e Champions League.