Nis puna për 2018-n. Kuqezinjtë u ritakuan në fushën e kompleksit “Tropikal”, teksa trajneri mbajti diskutim 10 minuta, në prani edhe të presidentit Duka. Berisha me probleme, Strakosha pritet titullar
Ekipi kombëtar ka zhvilluar ditën e djeshme, sipas programit, stërvitjen e parë të vitit 2018, teksa grumbullimi nisi që mbrëmjen e të hënës (ora 19:00, në resorin “Tropikal”). Në kuadër të miqësores përballë Norvegjisë, e cila do të luhet ditën e hënë (26 mars, “Elbasan Arena”). Tre mungesa të rëndësishme kanë rënë në sy ditën e djeshme. Mbrojtësi Berat Gjimshiti është detyruar që të lërë grumbullimin për shkak të një fatkeqësie familjare. Gjithashtu, edhe mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj, është larguar drejt Shkodrës, duke marrë leje te trajneri Panuçi.
Sakaq, me probleme fizike është shfaqur portieri i Atalantës, Etrit Berisha, i cili i është nënshtruar një vizite të specializuar jekësore. Stafi mjekësor, më pas, vendosi që ai të mos merrte pjesë në seancën e djeshme dhe pritet të shihet nëse do të përmirësohet ditën e sotme. Një problem jo i vogël për Etritin, që në këtë fund kampionati me Atalantën, nuk do të rrezikojë që dëmtimi të përkeqësohet. Kështu, pritet që në vend të tij, gardiani kuqezi përballë Norvegjisë të jetë Thomas Strakosha. Një ironi fati, pasi pikërisht forma jo e mirë fizike e Thomasit bëri që ai të mungonte në ndeshjen e fundit miqësore, atë ndaj Turqisë në Stamboll.
Mbledhja – Sakaq, sa i përket seancës së parë, që ka qenë e hapur për publikun dhe mediat, trajneri Kristian Panuçi ka mbajtur një diskutim rreth 10 minuta, duke i uruar mirëseardhjen dhe duke i kërkuar që gjatë këtyre ditëve stërvitje të mendojnë të punojnë dhe të jenë të përqendruar. Se tashmë nis një epokë e re dhe se duhet që ata të besojnë se çdo gjë mund të arrihet. Jo vetëm kaq, por Panuçi u ka kërkuar edhe të rinjve më shumë angazhim, ndërsa u ka përsëritur konceptin se ata që nuk do të japin më të mirën në stërvitje, atëherë do të jetë problem.
Duka – Grumbullimin kuqezi mezi e priste edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që ka qenë i pranishëm në “Tropikal” dhe, madje, në fushë duke dëgjuar diskutimin e Kristian Panuçit. Kreu i futbollit ka qenë i vëmendshëm, teksa më pas ka përshëndetur të gjithë futbollistët duke i dhënë dorën. Më pas, skuadra ka vijuar stërvitjen, kurse Duka është larguar i shoqëruar nga Etrit Berisha, i cili kishte shqetësime në kofshë nuk mori pjesë në seancën e sotme stërvitore.
https://www.youtube.com/watch?v=riGl4c7_Lc8