Mbrojtësi i vlonjatëve vlerëson ecurinë e deritanishme, por kërkon përqendrim maksimal për ndeshjet e radhës, duke nisur nga ajo me myzeqarët
Elton Nika
Me vështirësi, por Flamurtari ia ka dalë të shkojë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, që është një mundësi e mirë për të fituar trofe, përveçse siguron pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Vlonjatët po ecin mirë këtë sezon dhe premtojnë më shumë në javët në vazhdim të kampionatit, ku edhe kalendari është më i lehtë në letër, edhe pse ky sezon po tregon se nuk ka asnjë kundërshtar të dobët.
BICAJ – Mbrojtësi i rikthyer në ndeshjen me Partizanin, Ditmar Bicaj, e sheh mjaft të vështirë çdo përballje dhe kërkon nga shokët që të mendohet gjithmonë me seriozitet me atë që vjen përpara. “Natyrisht, me Partizanin do ta kishim të vështirë në kupë, por tashmë rëndësi ka fakti që Flamurtari është në gjysmëfinale. Ndeshjet e kupës janë ndryshe dhe e dinim shumë mirë se çfarë na priste në kryeqytet, ku Partizani do të kërkonte me çdo kusht kalimin më tej. Vendosi një gol i shënuar në fushë kundërshtare nga ana jonë dhe tashmë jemi ne në gjysmëfinale. Duhet të jemi të gëzuar me këtë fakt, pro asgjë nuk ka mbaruar.
“Jemi në gjysmëfinale të kupës dhe në vend të dytë në kampionat, një ecuri e mirë, por duhet të shohim përpara. Kampionati është ende shumë i gjatë dhe në lojë janë shumë pikë. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, njëra pas tjetrës. E rëndësishme është të mos ulim përqendrimin dhe të mendojmë dhe përgatisim çdo ndeshje njësoj, pavarësisht kundërshtarit.
“Ndaj Partizanit ishim përgatitur maksimalisht për një përballje delikate dhe në fund ia dolëm. Kështu mund të kalojmë çdo kundërshtar. Ditën e diel luajmë përballë Lushnjës në Vlorë dhe na duhet sërish përqendrim maksimal, pasi asnjë ndeshje në kampionat nuk është e lehtë. Kemi fituar me mjaft vështirësi ndaj Lushnjës në fazën e dytë në transfertë. Kundërshtari luajti mjaft mirë dhe nuk ka asnjë nënvlerësim për këtë ndeshje të radhës në kampionat. Duam të vazhdojmë me ritmin që kemi, duke marrë maksimumin në çdo ndeshje. Partizani ka kaluar dhe tani të mendojmë vetëm për Lushnjën. Janë ndeshje delikate, aspak të lehta, ku duhet dhënë gjithçka në fushë për të marrë pikët”, – ka theksuar mes të tjerash mbrojtësi i qendrës te Flamurtari, Ditmar Bicaj.