“Besnik në 35 vite pa trofe”/ Tifozët i përgjigjen Guardiolës: Ke humbur kontaktin me realitetin

Manchester City ka humbur formën e sezonit të shkuar teksa është dukshëm larg hapit të Liverpool-it në kampionat. Por përveç rezultateve, në stadium ndeshjen e fundit në Kupë mungonte edhe një pjesë e mirë e tifozerisë së “qytetarëve”. Kjo ka bërë që trajneri Guardiola të shprehte kritikat e tij në lidhje me praninë e pakët të tifozëve.

Ndërkohë kundërpërgjigja nga këta të fundit nuk ka munguar, teksa Kevin Parker, përfaqësuesi i grupit të tifozëve të Manchester City-t, do të shprehej se teknku spanjoll ka humbur lidhjen me realitetin financiar. Parker ndër të tjera ka thënë se nuk mund të gjykohen tifozët e klubit anglez për besnikëri, pasi vetëm fakti që këta të fundit e kanë ndjekur ekipin e tyre të zemrës për 35 vite pa fituar trofe pohon të kundërtën.

“Unë nuk e kuptoj atë që Pep po përpiqet të arrijë. Ai është duke marrë shumë kritika nga fansat për këtë. Ndihemi të kritikuar padrejtësisht nga klubet e tjera dhe situata përkeqësohet nëse vetë trajneri ynë shton më shumë kritika. Mendoj se Guardiola ka humbur kontaktin me realitetin financiar në të cilin janë tifozët e futbollit.

Ai duhet të kuptojë që këta tifozë i përkasin klasës punëtore dhe i shpenzojnë paratë e tyre në futboll. Dhe nuk ka kuptim të na qortosh për këtë. Ai nuk duhet të vërë në dyshim besnikërinë e tifozëve që kanë mbështetur klubin për 35 vjet pa fituar trofe. Ndeshja për të cilën ai u ankua ishte e Diela në mesditë dhe nuk është koha më e mirë për të shkuar për të parë një lojë futbolli”, ka thënë Parker për “Daily Mail”./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *