Besimi i Vioresin Sinanit: Vllaznia e mund Skënderbeun!

Ish-kapiteni kuqeblu beson se skuadra shkodrane do ta kalojë me sukses luftën e mbijetesës dhe të shtunën do dijë të tregojë vlerat e veta, pavarësisht mungesave

Gaspër Marku

Vllaznia luan këtë fundjavë një ndeshje shumë të rëndësishme me Skënderbeun. Skuadra kryesuese e kampionatit në opinionin sportiv konsiderohet si skuadra më e mirë e Superiores dhe një opinion të tillë për skuadrën korçare ka dhe ish-kapiteni kuqeblu, Vioresin Sinani. Ai nuk nguron të përcjellë respekt maksimale për këtë skuadër dhe thekson se falë kualiteteve që ka në dispozicion me të drejtë e dominon bindshëm kampionatin. Por Sinani është i mendimit se këtë radhë Vllaznia do të jetë ndryshe në fushën e lojës. Përballja e fazës së dytë me këtë skuadër nuk ka lënë shije të mirë në kampin kuqeblu, pasi korçarët e drejtuar nga tekniku Daja fituan në “Loro Boriçi” me rezultatin 1-4, por duke folur për “Sport Ekspres” Sinani shprehet i bindur që Vllaznia do të arrijë një rezultat pozitiv. “Është padyshim një ndeshje shumë e rëndësishme për Vllazninë, që nga ana e saj kërkon pikët maksimale përballë një skuadre që pritet të vijë më e qetë, pasi diferenca e madhe prej 15 pikësh që ka me rivalët për titull ia jep komoditetin e mospërfshirjes nën presionin e rezultatit”, thotë Sinani, i cili shpreson edhe në një mbështetje të fuqishme të tifozëve shkodrane në stadium, si dhe beson shumë tek fitorja e Vllaznisë.

MUNGESAT

Teksa e pyesim për mungesat që figurojnë tek Vllaznia, Sinani thotë: “Jam i informuar për mungesat, por me kontigjentin që ka në dispozicion, trajneri Gjoka do të dijë të bëjë zgjedhjet e duhura në ndërtimin e formacionit për t’ia dalë me sukses”. Ish-sulmuesi është i bindur që lojtarët e përzgjedhur nga trajneri për të zënë vendet bosh do të japin maksimumin në fushën e lojës. Sinani më tej thekson: “Vllaznia ka edhe një tip shansi në këtë ndeshje, sepse edhe Skënderbeu ka mungesa të rëndësishme titullarësh. Kjo e bën në një farë mënyrë luftën e barabartë mes dy skuadrave sa i përket shqetësimit të mungesave. Në këtë luftë të barabartë, që konsiderohet si finale për Vllazninë, fituese do të dalë Vllaznia. Jo vetëm kjo ndeshje, por edhe të gjitha të tjerat që vijnë në vazhdim janë finale për kuqeblutë”. Sipas Sinanit, me kontigjentin që Gjoka ka në dispozicion, do t’ia dalë me sukses, duke mos e diskutuar mbijetesën.

SUKAJ DHE RIBAJ

Sinani njihet si një ndër nuhatësit më të spikatur të portave kundërshtare. Te Vllaznia mban rekordin e golave të shënuar në të gjithë historinë e futbollit shkodran, ndaj është kjo arsyeja e ngacmimit në veçanti edhe për dyshen sulmuese, Sukaj-Ribaj. “Për Sukajn e kam thënë edhe më përpara, është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën. Me ardhjen e tij në Shkodër është shndërruar menjëherë në lider të ekipit”, thotë Sinani për Xhevahir Sukajn, mungesa e të cilit ka shqetësuar jo pak stafin teknik. Megjithatë, për Sinanin zgjidhja është gati për këtë ndeshje. “Duke mos dashur të futem në kompetencat e trajnerit, sepse Gjoka është më afër skuadrës, do të thosha se Ribaj do ta zëvendësonte denjësisht Sukajn në këtë ndeshje”, nënvizon Sinani, që në vijim nuk nguron të shpalosë një farë simpatie personale që ka për këtë lojtar. “Ribaj, me të thënë të drejtën, realisht më pëlqen. Është një sulmues tipik, që e njeh lojën përpara portës, ndërkohë që kam konstatuar një rritje të dukshme të formës së tij sportive. Unë e konsideroj shumë pozitiv pozicionin e tij dhe besoj shumë tek ky lojtar”, deklaron Sinani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *