Autori i golit të dytë për Flamurtarin ndaj serbëve, Roland Iljadhi, rikujton emocionet e sfidës së atëhershme dhe inkurajon korçarët
Elton Nika
Shtator 1987-tetor 2017. Plot 30 vite më vonë Partizani i Beogradit rikthehet të luajë në Shqipëri, pas eliminimit të bujshëm nga Flamurtari. Humbja 2-0 në Vlorë dhe fitorja e skuadrës serbe 2-1 në Beograd sollën eliminimin e saj nga kompeticionet europiane. Ndeshje që sot rikujtohen sa herë përmendet emri i Partizanit të Beogradit. Sot në “Elbasan Arena”, një tjetër skuadër shqiptare, Skënderbeu, do të kërkojë t’i tregojë Partizanit se në tokën shqiptare do të dalë i humbur. Roland Iljadhi, autor i golit të dytë në fitoren 2-0 në Vlorë, e rikujton me nostalgji atë ndeshje dhe uron e beson se Skënderbeu do të përsërisë historinë.
– Iljadhi, Partizani i Beogradit rikthehet në Shqipëri 30 vite më vonë…
– Partizani i Beogradit rikthehet në Shqipëri dhe besoj se edhe ata vetë nuk e kanë harruar historinë. Në atë kohë Flamurtari i nxori jashtë Europës me dy ndeshje të shkëlqyera, me dy gola në Vlorë dhe golin e Kushtës në mes të Beogradit. Një histori, që tashmë ka mundësinë të rishkruhet dhe e uroj me gjithë shpirt të ndodhë.
– Çfarë kujtoni nga ajo përballje?
– Kujtoj gjithçka dhe më duket sikur kemi luajtur vetëm pak ditë më parë. Kam Nostalgji dhe ndjej emocione të mëdha për atë përballje historike. Atmosferë e jashtëzakonshme në momentin e hedhjes së shortit dhe i gjithë qyteti, madje e gjithë Shqipëria e priste me mjaft interes atë përballje. Janë dy ndeshje, që nuk harrohen kurrë, të paktën nga ne që ishim në fushë, por edhe nga tifozët. Ajo përballje është pjesë e historisë së futbollit shqiptar, jo vetëm e Flamurtarit.
– Asokohe, mos kishte pak ngjyrim politik?
– Patjetër që po. Ndikimi politik ishte i pranishëm në atë kohë, por ne menduam të ishim vetëm pjesë e futbollit, edhe pse politika ishte pjesë e pandarë në atë kohë. Ia arritëm me meritë të kualifikoheshim.
– Keni shënuar golin e dytë në ndeshjen e parë. Si u ndjetë dhe si i kujtoni atë moment?
– Emocione të pabesueshme për mua. Një gol, që fiksoi fitoren 2-0 dhe na dha besim të palëkundur se do të kualifikoheshim. Dhe kështu ndodhi, kur në Beograd Sokoli shënoi atë gol madhështor, duke bërë të shkonim më tej. Flamurtari bëri diçka të jashtëzakonshme dhe ndjehem sërish si ato ditë.
– Historia e doganës, një ngjarje që sot kujtohet sërish. Çfarë ndodhi?
– Ah, e vërtetë. Tetë orë në doganën e Hanit të Hotit, pas kualifikimit në Beograd. Pala serbe nuk ka bërë ndonjë kontroll të veçantë, na lejoi të vazhdonim, por e papritura ndodhi në doganën tonë. Tetë orë qëndrim, kontrolle deri në imtësi, duke na trajtuar si hajdutë apo kriminelë ordinerë. Një ngjarje që për mua edhe sot mbetet enigmë. Nuk e di pse ndodhi, cilat ishin direktivat. Në Vlorë dhe gjithë Shqipërinë ishim heronj, por jo për doganën shqiptare. Nga Shkodra e deri në Vlorë, kur kemi hyrë në tonë shqiptare, na kanë përshëndetur si heronj, na kanë pritur si të tillë. Atë ngjarje në doganë nuk dimë si ta shpjegojmë.
– Partizani luan këtë herë ndaj Skënderbeut. Si e shikoni këtë përballje?
– Të gjithë Shqiptarët janë më zemër në “Elbasan Arena” dhe i uroj me gjithë shpirt Skënderbeut fitoren. Korçarët kanë mundësinë të rishkruajnë historinë dhe jam plot besim se kështu do të ndodhë. Skënderbeu ka një klub model sot dhe një skuadër me lojtarë shumë të mirë, me persona që i njoh dhe i kam miq aty, ndaj besoj shumë.
– Si e vlerësoni kundërshtarin?
– Partizani i Beogradit ka një skuadër të mirë. Megjithatë, luhet në “Elbasan Arena” dhe nuk ka pse të mbivlerësohet kundërshtari. Skënderbeu ka arritur me meritë deri këtu, ndaj duke diktuar lojën e vet rrit shanset për fitore. Trajneri Daja, të cilin e vlerësoj, e di më mirë gjendjen e skuadrës. Unë besoj te fitorja.
– Mos harrojmë që edhe publiku ka rolin e vet, pasi luhet në Elbasan…
– Patjetër. 30 vjet më parë stadiumi “Flamurtari” u mbush mbi kapacitetin e vet. Shpresoj që edhe “Elbasan Arena” të jetë plot. Me lojën e vet dhe mbështetjen e publikut, Skënderbeu ka mundësitë t’ia arrijë të fitojë.