Trajneri Kavajas, që vjet drejtoi skuadrën e Apolonisë, ka marrë drejtimin e lezhjanëve
Bernard Gjikolaj
Te Besëlidhja vijojnë pushimet verore pas një sezoni që nuk shkoi aspak ashtu siç ishte menduar. Objektivat ishin të tjera, ndërsa në fund të fazës së dytë kishte siklet edhe për mbijetesën, pasi vetëm pas fitores me Dinamon në shtëpi u arrit sigurimi i pesëshës së parë. Pas më shumë se gjashtë javë pushimi absolute, më në fund merkatoja verore ka startuar edhe tek Besëlidhja, madje është emëruar trajneri i ri, që i hap rrugë edhe lëvizjeve të tjera në vazhdim. Ndriçim Kashami nga dita e djeshme është zyrtarisht njeriu që do të jetë në krye të pankinës së skuadrës lezhjane.
Kavajasi ka zëvendësuar lezhjanin Gledis Lani, i cili ka gjasa që të mbetet pjesë e Besëlidhjes në rolin e zëvendëstrajnerit, pozcion që e mban prej shumë vitesh. Kashami vjen tek Besëlidhja pas largimit të tij nga Apolonia në fillim të muajit prillit. Mendohet se skuadra lezhjanë bazën e skuadrës do ta ndërtojë me futbollistë vendas. Me ardhjen e Kashamit si trajner, normalisht që do të ketë edhe ndonjë prurje nga të preferuarit e tij. Ka gjasa që edhe futbollistët guineas të mbeten pjesë e Besëlidhjes për sezonin e ri.
Një gjë është e qartë: objektivi është ngjitja në Superligë, pavarësisht se ardhja e Vllaznisë në të Parën e ka vështirësuar shumë situatën. Gjithsesi është ende herët për të parashikuar situatën e sezonit të ri. Nga ekipi është larguar mbrojtësi Edison Ndreca, i cili i është bashkëngjitur Teutës në Superiore. Ai ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe do tentohet të zëvendësohet, ashtu si edhe elementët e tjerë që nuk do të jenë pjesë e Besëlidhjes në sezonin e ri.