Qendërmbrojtësi shtatlartë kavajas me shumë përvojë ka marrë dje lejen e kalimit dhe ka dalë i lirë…
Fatmir Efica
E ka deklaruar dje në mesditë shkëputjen e tij përfundimtare nga Besa e Kavajës, skuadra e vendlindjes, qendërmbrojtësi shtatlartë Erand Hoxha. Futbollisti falënderon drejtuesit e skuadrës verdhezi, në veçanti presidentin Nexhat Bizhdili, për mirëkuptimin e pajisjes tashmë me lejen e kalimit për të qenë tashmë i lirë dhe bërë një tjetër zgjedhje. Ndonëse nuk e ka deklaruar adresën e tij të re, Erand Hoxha që “stacione” të karrierës së tij, veçmas Besës ka pasur edhe tri ekipe të tjera si: Egnatia, Elbasani dhe Teuta. “Do të studioj me qetësi këto ditë ofertat konkrete që kam pasur nga ekipe të Superiores e Kategorisë së Parë dhe natyrisht nuk do të ngurroj të vendos për vazhdimësinë karrierës sime”, – tha mbrojtësi Hoxha.
PËRFORCIMET – Në vijimësinë e kësaj periudhe të merkatos dimërore, Besa nuk ka hequr dorë nga ideja për të pasur edhe disa përforcime të tjera. Kryesisht nga drejtuesit e stafit teknik të Besës kërkohen kandidatë potencialë për repartin e sulmit. Dje, është konfirmuar një tjetër ardhje. Konkretisht e mesfushorit me tipare sulmuese Vial Mahmutaj që në dy sezonet e fundit ka luajtur në radhët e Kukësit B në Kategorinë e Dytë. Sezonin e shkuar madje ka shënuar 10 gola ndërsa në 12 javët e para të këtij sezoni 2 gola. Aktualisht në skuadrën kavajase nga lojtarët e ardhur rishtas gjatë këtyre ditëve të para provimi i parë real do të jetë miqësorja e kësaj së shtune me Lushnjen e cila do të përafrojë më qartë disa konstatime fillestare për grupin aktual. Gjatë këtyre ditëve të para stërvitore, është pranuar edhe ndonjë futbollist në “provë” sikurse janë afruar edhe disa lojtarë nga skuadrat e grupmoshave U-19 e U-17 të konsideruar si të perspektivës.
DËMTIME – Nga mjeku i skuadrës së Besës, Ferdinant Bardhi mësuam dje se janë tre lojtarë që kanë probleme me dëmtimet. Me ta po punohet me një program të veçantë duke u stërvitur jashtë grupit. Bëhet fjalë për mbrojtës-mesfushorin Denis Biba, mesfushorin Aldrit Oshafi dhe mesfushorin me tipare sulmuese Edmond Hoxha.