Fatmir Efica
Mesditën e djeshme, presidenti i Besës Nexhat Bizhdili ka deklaruar emërimin në krye të pankinës së Besës të durrsakut Gentian Begeja. Kishte ditë në fakt që përflitej në lidhje me këtë pozicionim të Begesë në krye të stolit kavajas. Begeja vjen pas një eksperience të mirë të fituar te Teuta, por edhe te skuadrat e grupmoshave në Durrës përgjatë disa sezoneve. Organika e re e stafit të Besës, për sezonin 2017-2018 ka pësuar edhe disa ndryshime të tjera. Në postin e zëvendës-trajnerit do të jetë Markelian Xhaji i cili me Begenë ka qëndruar gjithnjë pranë vitet e fundit. Xhaji duhet thënë se e njeh mirë futbollin kavajas, pasi disa vite më parë ka luajtur si futbollist në radhët e skuadrës së Besës. Nuk ka pësuar ndryshime posti i trajnerit të portierëve. Në këtë detyrë, për vetë performancën pozitive që ka treguar në gjysmën e dytë të sezonit të fundit, do të vijojë të jetë specialisti Kastriot Rama. Është shtuar posti i trajnerit atletik që do ta mbajë Gjergji Poloska, ndërsa në detyrën e mjekut e të masazhatorit të skuadrës pas një eksperiencë që ka kaluar te Erzeni, rikthehet te Besa Emiljano Bizhdili.
STARTI – “Për shkak të vëmendjes që ka pasur së fundmi kampionati Botëror “Rusi 2008”, – ka thënë dje presidenti i skuadrës verdhezi Nexhat Bizhdili – 16 korriku do të jetë dita që Besa do të zbresë në fushë për startin e stërvitjes së parë. Po në këtë ditë do të prezantohet përpara skuadrës tërë stafi i ri teknik që dje ka marrë “bekimin” fillestar nga Nr. 1 i ekipit kavajas”.
MERKATO – “Do të jemi të gatshëm të ofrojmë kontratat me futbollistët duke mos u nxituar, e duke parë me qetësi harmonizimin e marrëdhënieve të reja të bashkëpunimit që stafi do të ketë nga tani e tutje me çdonjërin prej futbollistëve. Përparësi do të kenë veç lojtarët me përvojë e cilësi të spikatura, edhe futbollistët e rinj. Sezoni i fundit ku veçanërisht për U-17, Besa dha një shembull mjaft të mirë në lidhje me grupin e futbollistëve që dubloi me trofetë e fituara në kampionatin e Kategorisë Superiore për paratërinj dhe Kupën e Shqipërisë, rezultatet e arritje që Besës i mungonin prej vitesh, tregon se nuk do të hiqet dorë nga perspektiva. Madje do të ketë sërish shanse për të mbajtur afër e dhënë mundësi edhe talenteve të dala nga “fidanishtja” e futbollit kavajas. Në mbyllje, Xhati me xhentilesën e tij karakteristike e uron stafin e ri teknik të emëruar dje me një fjali: “Mirësevini te Besa”.