Fatmir Efica
Dy klube mike e një miqësore mes tyre e zbukuron atmosferën sportive. Duke zgjedhur Patosin, kavajasit i rikthehen atij respekti si në kohën kur këtë ekip që pati arritur dy dekada më parë nivele të larta, e drejtonte trajneri i mirënjohur Fatmir Dogani. Njeriu që ishte bërë një mik shumë i çmuar edhe në Kavajë. Nostalgjia mënjanë, sot vijojnë të ruhen marrëdhëniet po aq të mira dhe ky element, përtej sportivitetit, është një ndër vlerat më të mira e më të bukura që ka nevojë të përfaqësojë e të përmirësojë vazhdimisht futbolli në fushën e lojës e jashtë saj.
NDESHJA – Paraditen e sotme në ora 11:00 Besa do të luajë në “Alush Noga” të Patosit miqësoren e saj të fundit të kësaj periudhe të minifazës dimërore të përgatitjeve të saj në vigjilje të ristartit të kampionatit. Është zgjedhur luajtja në transfertë për t’iu përafruar sa më mirë kushteve të luajtjes jashtë fushës së saj. Kavajasit më 27 janar do të jenë përballë Erzenit në Shijak, skuadër të cilën e patën mundur në fazën e parë në Kavajë 3-1.
FORMACIONI – Nga sa mësuam dje prej drejtuesve të stafit teknik të Besës, sot ndaj Albpetrolit pritet të zbresë në fushë ai formacion që konsiderohet tashmë si kryesor në lidhje me atë grup që, siç u pa në miqësoren e tre ditëve më parë me Bylisin, po merr formën e vet. Me ardhjet më të fundit të qendërmbrojtësit Dikson dhe të qendërsulmuesit Onu, së bashku me portierin me përvojë Festim Miraka dhe “regjisorin” e lojës në mesfushë, kapitenin me shumë përvojë Meglid Mihani, përbëjnë “boshtin” e pjesës së dytë të sezonit.