Fatmir Efica
Pikët maksimale ndaj Korabit janë lajtmotivi themelor që Besa ka për takimin e sotëm shtëpiak ndaj Korabit. Kjo javë ka kaluar shpejt pasi ëshë parë rritja e dukshme e optimizmit në skuadrën verdhezi. Ndikim madhor në ndryshimin e menjëhershëm të opinionit ka pasur padiskutim fitorja e javës së kaluar në transfertë ndaj Kastriotit. E rëndësishme është që Besa sot do të jetë e plotë dhe pa mungesa.
DUKA – Mesfushori Mirel Duka që në ndeshjet e fundit ka dhënë një kontribut me vlerë pas rikthimit të tij nga një periudhë e gjatë rikuperimi, tha dje se me Korabin Besa hyn në fushë vetëm për fitore. “Ne jemi Besa dhe këtë do ta tregojmë më së miri në 90 minutat me Korabin. Në fazë e parë, Besa ka barazuar në Peshkopi dhe ai rezultat në rrethanat e javës së fundit të fazës së parë dhe kjo tregon se në fushën e vet Besa nuk duhet të gabojë më kurrsesi. Ashtu siç fituam me Kastriotin, kur pakkush e ka menduar se do të ndodhte kjo gjë, edhe me Korabin, ne do të luajmë “gjithçka për gjithçka”, – theksoi mesfushori Mirel Duka që krahas eksperiencës te Besa ka dalë kampion me U-19 e saj një dekadë më parë (në sezonin 2008-09) dhe ka luajtur në ekipe të tjera si: Luftëtari, Luzi 2008 dhe Erzeni. Madje, Duka shprehet se megjithë respektin për trajnerin e Korabit, Dorjan Bubeqi e disa lojtarë kavajas që janë aktualisht pjesë e kësaj skuadre, sot Besa ka alternativë parësore fitoren për të pasur në fund të kësaj faze të dytë një pozicion sa më të mirë e një avantazh në pikë ndaj ekipeve të tjera që do të jenë pjesë e pesëshes së dytë. Shpresoj shumë që me mbështetjen e tifozëve tanë të zjarrtë po dhe shumë korrektë kavajas, Besa të marrë rezultatin e dëshiruar”, – mbylli Duka.
Formacioni i mundshëm: Miraka, Perja, Dikson, Ramilli, Biba, Brahimaj, Duka, Mihani, Deliallisi, Onu, Pasha. Trajner: B. Sinella.
Nga Bubeqi te Veliaj, Korabi ka shumë “ish”
Korabi do të luaj sot në Kavajë një ndeshje vendimtare për të ruajtur pjesëmarrjen në pesëshen e parë në fazën e tretë të kampionatit. Dibranët kanë mbyllur dje përgatitjet dhe janë gati për të mos dal pa pikë nga Kavajë edhe pse e kanë të qartë se i prej një ndeshje mjaft e vështirë. Në radhët e skuadrës dibrane ka një pjesë të stafit, por edhe lojtarë titullarë që kanë qenë pjesë e Besës, madje në Superiore por edhe në periudha të arta të kavajasve. Duke filluar që nga Dorjan Bubeqi, trajner e Taulant Guma si përgatitës portierësh, të cilët kanë qenë lojtarë, por edhe pjesë e stafit të Besës. Pa harruar edhe portierin Tedi Laço, mbrojtësit Erand Hoxha dhe Ardit osmani, apo mesfushorët Klaudio Hyseni e Emiljano veliaj. Pra, gjithsej janë shtatë pjesëtarë të Korabit që kanë pjesë e Besës, në periudha të ndryshme të viteve të shkuara.
Formacioni i mundshëm: Laço, Hoxha, Tola, Kalluci, Osmani, Karaj, Veliaj, Prendi, Taku, Hyseni, Lleshi. Trajner: D. Bubeqi.