Qendërmbrojtësi Dikson dhe qendërsulmuesi Onu, që mbyllën sezonin e fundit, janë emrat e parë të lakuar te lista e kavajasve për sezonin e ardhshëm
Fatmir Efica
Nga Miraka, një portier me mjaft përvojë, te ish-kapiteni Skerdian Perja, mbrojtës sa besnik po aq dhe potencial për kontributet e tij. Lista e Besës bëhet interesante me dy mesfushorët me tipare sulmuese. Durrsakun Armand Pasha, një “goleador race” e kosovarin 19-vjeçar Bler Thaçi, i vlerësuar si një talent brilant për klasin e tij teknik. Në gjashtë lojtarët e parë të konfirmuar te Besa e re e sezonit 2018-2019, pjesë e rëndësishme e “boshtit” konsiderohen dy nigerianët Idakvu Dikson dhe Çinonso Onu. Nëse ky i fundit pati një “stazh” të shkurtër njohjeje fillimisht në Burrel e pastaj në Berat, me dy skuadra të Kategorisë së Parë, ku ka luajtur, por dhe ka formuar tashmë një eksperiencë ndihmuese për karrierën e tij, qendërmbrojtësi Dikson duket një lojtar më “universal”. Përveçse është mjaft “strikt” në detyrat specifike që ka kryer te Besa në rolin e tij në fushë si qendërmbrojtës me vizion, arriti disa herë të evidentohet edhe si një mbështetës i mirë i manovrës në sulm duke shënuar edhe dy gola. Falë shtatlartësisë, por edhe stilit ofensiv që ka me daljet e tij të shpeshta përpara, Dikson arriti të bëhet një “lider” i rëndësishëm në prapavijën e Besës.
CILËSIA – Besa e re duket se që tani po merr formë me emra futbollistësh cilësorë. Drejtuesit janë të bindur se nuk do të bëhen më gabimet e sezonit të shkuar ku veçmas dyndjes së madhe të emrave si në verë, ashtu edhe në dimër, riformatimi i skuadrës, për shkak edhe shumë lojtarëve të larguar, të bëhej më disa faza. Ky proces natyrisht nuk qe aspak i lehtë. Madje dihet se kërkon kohën e vet. Në sezonin e ri, Besa do të hyjë me pretendime maksimale për ngjitjen e rikthimin e saj në elitën e futbollit shqiptar, ku mungon prej katër sezonesh.