Ballkani ka arritur një fitore të madhe në Sivaspor, duke mposhtur turqit me shifrat 3-4 në shtëpinë e tyre. Menjëherë pas takimit, trajneri kundërshtar, Riza Çalmbay, u shpreh se kishte bërë një bisedë me mbrojtësit para këtij takimi. Ai u kishte thënë atyre që nuk duhej të gabonin pasi goli do të shënohej nga lojtarët ofensiv, por në fund nuk ngeli askush pa e dreqosur në prapavijë.
“Ishte një ndeshje që ne mund ta fitonim fare lehtë, por fatkeqësisht kemi pësuar gola lehtësisht të evitueshëm, të panevojshëm. Kur barazuam, duhej ta vlerësonim situatën, por sërish e pësuam. Gjithashtu kemi shpërdoruar raste shumë flagrante para portës së Ballkanit. Është një gjë e trishtueshme të mposhtesh në shtëpi. Kemi nxjerrë mësime. Kur nisa ndeshjen sot, fola me të gjithë mbrojtjen dhe i thashë: “Mos pësoni gol, është e sigurt që ne do të shënojmë para”. Por në mbrojtjen tonë, nuk ngeli njeri pa gabuar”, tha trajneri i Sivaspor. /Sport Ekspres/