Benatia tregon “anormalitetin” e Ronaldos: Ishte ora 11 e natës, më ftoi në palestër

Ronaldo është një makineri pune dhe për këtë nuk ka dyshime askush. Shumë futbollistë që kanë qnë në të njëjtin ekip me të e kanë pohuar një diçka të tillë. Benatia, që ka luajtur me portugezin te Juventusi, ka rrëfyer një histori, me të cilën e vërteton përse Ronaldo është në tjetër nivel.

Mbrojtësi maroken ka treguar se si Ronaldo i kërkoi të stërviteshin së bashku pas ndeshjes, megjithëse ora kishte shkuar 11. Kjo gjë e ka lënë Benatia të habitur, duke e bërë këtë të fundit të shprehet se ylli portugez nuk është një njeri normal. Madje thekson se nëse je në kontakt me të çdo ditë, e respekton edhe më shumë se më parë.

“Po ktheheshim pas një ndeshjeje, ku nuk ishim titullar, pasi do të luanim sërish 3 ditë më vonë. Ronaldo ishte pas meje në autobus dhe më thotë: ‘Çfarë do të bësh kur të kthehemi?’ dhe unë iu përgjigja: ‘Është ora 11 e natës, do shkoj në shtëpi, pse?’. Ai më tha: ‘Nuk dëshiron të bëjmë seancë të vogël stërvitore së bashku? Nuk djersita në lojë, më duhet të stërvitem, nuk do të më bësh shoqëri?’. Më duhej t’i shpjegoja përsëri se nuk ishte e mundur. Thjesht doja të shkja në shtëpi, të ulesha dhe të shikoja TV.

Kur mbërritëm, të gjithë ishim veshur me rroba normale, por ai ishte veshur me të shkurtra, atlete, dhe shkoi në palestër. Mendova me vete që ky djalë nuk është normal. Kur je në kontakt me të në jetën e përditshme, e respekton si djalë përpara lojtarit. Ai e sakrifikon të gjithë jetën e tij për futbollin”, ka thënë Benatia./Sport Ekspres/