“Bëmë jo një, por tre hapa mbrapa”, Spaleti pas humbjes 5-2 nga Gallatasarai: Na ra karakteri dhe personaliteti

Juventusi ka marrë një nga humbjet më të thella në historinë e tij në Ligën e Kampionëve. Bardhezinjtë janë mposhtur me shifrat 5-2 në transfertën kundër Gallatasarait. Pas përfundimit të ndeshjes së parë “play off” në Ligën e Kampionëve, Luçiano Spaleti ka dhënë përshtypjet e tij të para për “Sky Sports”. Trajneri italian është shprehur se ekipi bëri 3 hapa mbrapa me këtë humbje. Megjithatë, ai në fund ka thënë se lojtarët e tij duhet ta kontrollojnë lojën, pasi nëse nuk vihen në zotërim të topit, atëherë rrezikojnë së tepërmi për të pësuar.

“E përfunduam dobët pjesën e parë. U përpoqëm të rivendosnim rendin, por na ra personaliteti dhe karakteri. Ne bëmë jo një, por tre hapa mbrapa. Jam i bindur që mund ta lehtësojmë presionin në mbrojtje nëse luajmë futboll. Ne nuk kemi lojtarë që bllokojnë ndeshjen dhe luajnë me kundërsulme. Gjithmonë duhet të fillojmë me supozimin se ne mund ta luajmë lojën, të tregojmë se mund ta kontrollojmë atë. Nëse biem nën nivelin tonë, jemi gjithmonë në rrezik për të pësuar gola”, ka deklaruar Luçiano Spaleti./Sport Ekspres/