Bekam është i bindur, Anglia në finale kundër amerikano-jugorëve

Ish-kapiteni i Anglisë, Dejvid Bekam, beson se Tre Luanët do të përballen me Argjentinën në finalen e Kupës së Botës në Rusi.

Skuadra e drejtuar nga Sauthgejt fitoi në shtesë ndaj Tunizisë në ndeshjen e parë në grupin G, ndërsa Argjentina u ndal te barazimi nga Islanda, me Leo Mesin që humbi një penallti.

Dy kombëtaret ëndërrojnë suksesin që u mungon prej shumë vitesh dhe Bekami është i bindur se në finale do të jenë pikërisht këto të dyja.

“Besoj se Argjentina do të luajë kundër Anglisë në finale”, tha Bekam gjatë një eventi në Kinë.

“Natyrisht, zgjedhja ime është që Anglia fiton Botërorin, por kjo ndodh sepse jam anglez dhe nuk jam neutral”.

Bekam ka dy kujtime nga përballjet me Argjentinën në Botëror, sepse në Francë 1998 Diego Simeone doli me karton të kuq për një shkelm të dhënë mesfushorit anglez, ndërsa në vitin 2002 Bekam shënoi penalltinë që vlejti fitoren ndaj Argjentinës në grupe.

“Jam shumë i lumtur që e nisëm me fitore. Anglia është skuadër shumë e re, nuk ka shumë eksperiencë dhe rrugëtimi do të bëhet më i ashpër nga ndeshja në ndeshje”, shtoi Bekam.

Anglia do të ndeshet me Panamanë të dielën, ndërsa Argjentina luan një ndeshje delikate ndaj Kroacisë sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *