Behrami i la “fajin” FFK-së, reagim zyrtar në Kosovë: Jo vetëm ftesë, por të dhamë edhe shiritin e kapitenit

Valon Behrami është hapur për mediat në Kosovë sa i përket refuzimit për të qenë pjesë e përfaqësueses dardane. Në një intervistë për “Indeksonline” futbollisti shqiptar fajëson FFK-në, që sipas tij asnjëherë nuk e morën mundimin për të komunikuar ballë për ballë me të e për ti lënë në tryezë ftesën.

Kjo deklaratë ka sjellë ditën e sotme një reagim zyrtar nga trajneri i atëhershëm i Kosovës, Albert Bunjaku. Në një prononcim për FFK-në, Bunjaku sjell një version tjetër të historisë. Sipas tij kontaktet me Behramin dhe babain e tij kanë qenë të shpeshta, duke udhëtuar edhe drejt Zvicrës e Anlgisë për tu takuar. Madje shton se ftesa i ka ardhur së bashku me shiritin e kapitetin, por në fund nga ana e Kosovës është marrë një “jo” si përgjigje.

“Realiteti është që Valoni ka qenë prioritet. Madje ne jemi munduar me çdo kusht deri në ditën e fudnit, në 2016 para se të fillonin kualifikimet, për ta afruar atë. Unë personalisht kam qenë edhe në Zvicër, kam qenë edhe në Angli për ta takuar Valonin. Kam pasur kontakte të rregullta me babain e Valonit, Ragip Behramin, të cilin e kam mik të afërt dhe i dimë rrethanat si kanë qenë. Mirëpo përpjekjet për afrimin e Valonit kanë qenë edhe prej kryetar të ndjerë, Vokrri.

Valoni ftesën e ka pasur. Madje jo vetëm ftesën, por ka pasur edhe më shumë se ajo. Valonit iu ofrua edhe shiriti i kapitenit për të na u bashkangjitur. Ne kemi dashur të tregojmë sinqeritetin dhe që kemi pasur një projekt shumë të rëndësishëm. Mirëpo vendimi ka qenë i tij. Të gjithë i dinë ato deklarimet publike, të cilat ne i kemi përkrahur fundja-fundit edhe pse lojtarët kanë vendosur të qendrojnë. Mirëpo Valoni e ka pasur ftesën”, ka sqaruar Albert Bunjaku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *