E gjithë bota është përfshirë nga një situatë aspak normale dhe mjekët po marrin mbi supet e tyre një detyrë tejët të vështirë, duke dhënë më të mirën për të shpëtuar jetët tona nga pandemia Covid-19. Një gjendje e tillë ka bërë bashkë edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë vendosur të solidarizohen dhe të japin ndihmën e tyr në këtë “luftë“. Klubi i Shkëndijës së Tetovës, e cila këtë sezon udhëhiqet nga trajneri Ernest Gjoka, dhuron për mjekët e spitalit të qytetit të tyre materiale si doreza, maska apo dezinfektues në mënyrë që këta të fundit të mos hasin probleme në këtë aspekt.
Mjekët po japin gjithçka nga vetja e tyre këto kohë dhe është momenti që edhe klubi shqiptar i Maqedonisë së Veriut të japë diçka për ta. Kjo është filozofia e Shkëndijës së Tetovës, që me këtë veprim tregon shumë dhe meriton duartrokitje. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi, i cili ka shpërndarë në faqen e tyre zyrtare vendimin për të kryer një akt të tillë solidarizues, ndërsa ka ndarë me të gjithë edhe foto nga momenti kur futbollistët e tyre kanë ndarë ndihmat në duart e mjekëve të Tetovës./Sport Ekspres/
Njoftimi i plotë:
KF Shkëndija si klub me përgjegjësi sociale bashkohet me çdo iniciativë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe të prekurit nga virusi korona. Në këto kohë të vështira kur pandemia e COVID-19 ka paralizuar pjesën më të madhe të të gjitha sferave në gjithë globin, futbolli nuk është përjashtim dhe në këtë moment ‘topi ka ndaluar rrokullisjen’. KF Shkëndija si klub me përgjegjësi sociale bashkohet me çdo iniciativë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe të prekurit nga virusi korona.
Duke vlerësuar angazhimin e parezervë të komplet personelit mjekësorë të Spitalit Klinik të Tetovës, që nuk kursejnë asgjë nga vetja, madje rrezikojnë edhe shëndetin personal në interes të të qenurit në shërbim të qytetarëve në nevojë, klubi ynë në shenjë solidarizimi me ta ofron mbështetje përmes një donacioni (skafindera, doreza, dezinfektues, termometra infrared, saintaizerë dhe materiale tjera të nevojshme për situatën e krijuar).
“Shkëndija është e popullit dhe mbështetja e madhe e publikut gjithmonë ka qenë forcë shtesë për skuadrën. Tani në këto momente të krizës globale me përhapjen e pandemisë së virusit COVID-19, ne ndjejmë përgjegjësi për të qenë me dhe për popullin në mënyra të ndryshme. Përveç mbështetjes individuale që si futbollistë kemi ofruar ku kemi ndjerë se është nevoja, kemi parë të arsyeshme që të zgjasim dorën e ndihmës edhe për mantelat e bardha, gjegjësisht stafin mjekësorë që nuk kursen asgjë për tu dalë në ndihmë gjithë të prekurve nga virusi korona. Futbolli është sport ekipor dhe ne kemi bindjen se duke qëndruar pranë njëri tjetrit do ta fitojmë edhe këtë sfidë, për të dalë sa më shpejtë nga kjo situatë“, shprehet Mevlan Murati, i cili bashkë me Ennur Totren dhe Omar Imerin ishin personalisht në dorëzimin e këtij donacioni në Repartin e Sëmundjeve Infektive pranë Spitalit Klinik të Tetovës.
KF Shkëndija me këtë rast uron shërim për gjithë të prekurit nga virusi COVID-19, me shpresë dhe besim se kjo situatë do të përfundojë së shpejti për tu kthyer të gjithë në jetët tona normale.