Për herë të parë në historinë e legjionarëve të Kombëtares, kemi një rast kur një futbollist i kuqezinjëve kërkohet nga skuadrat më të mira në Europë. Bëhet fjalë për Marash Kumbullën, i cili është vetëm 20 vjeç dhe i ka mjaftuar një gjysmë sezoni, për të fituar interesin e të gjithëve.
E nga t’ia nisim? Lajme të reja vijnë nga Gjermania, ku sipas mediave prestigjoze, përveç ekipit të Dortmundit, është hedhur edhe Bajerni në garë për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të Shqipërisë. Bavarezët kanë shprehur dëshirën e tyre për të marrë në verë Kumbullën dhe po interesohen për lojtarin që e kërkon njëkohësisht edhe Dortmundi në Gjermani.
Për të kaluar në Angli, atje ku sipas mediave më të njohura ka një derbi mes Manchester City-Manchester United, për të bindur Kumbullën që t’u bashkohet në merkaton e radhës. Emra gjigandë këto të futbollit europian që të krijojnë përshtypjen se bëhet fjalë për përballje të “Champions League”, por në fakt janë duelet mes drejtorëve sportiv, që ndajnë të njëjtën dëshirë për mbrojtësin e Veronës. /Sport Ekspres/