Mesfushori e mbyll në Gjeorgji dhe është gati për një rikthim në Superiore. Partizani e pëlqen futbollistin me eksperiencë
Merkatoja e verës duket se do të jetë shumë e rëndësishme për ekipin e Partizanit. Të kuqtë nuk duan të nxitohen me veprimet e tyre, pasi duhet të presin dhe vendimin përfundimtar të CAS-it për ekipin e Skënderbeut, por kjo nuk i ka penguar që të nisin piketimet e para për futbollistët që do të afrojnë në skuadër për Europa League, në rast se marrin pjesë, por duke menduar dhe për kampionatin e ardhshëm. Në rast se korçarët dënohen, shanset e “demave” për titullin kampion rriten ndjeshëm. Flasim gjithmonë në ajër, pasi pa vendimin e CAS-it nuk mund të dihet asgjë. Drejtuesit e Partizanit kanë disa çështje të rëndësishme në duar. Në fund të qershorit, 4 nga futbollistëve të të kuqve u mbaron kontrata. Kapiteni Idriz Batha, mbrojtësi Arbnor Fejuzllahi, Renaldo Kalari dhe Blerim Kotobelli me shumë mundësi dalin si të lirë. Për mbrojtësin nga Presheva bisedimet kanë shkuar mirë dhe mund të rinovohet, por për futbollistët e tjetër situata është më e vështirë.
BATHA – Kapiteni është një lider në ekipin e kuq dhe një titullar i padiskutueshëm në vitet e fundit. Ai duket se do të ndërpresë bashkëpunimin me “demat”, të paktën kështu janë gjasat, pavarësisht se nuk i dihet se çfarë do të ndodhë, pasi situatat mund të ndryshojnë. Drejtuesit e klubit të kuq nuk duan të mbesin të papërgatitur dhe për këtë arsye po shohin dhe alternativat për ta zëvendësuar. Dëshira më e madhe është ajo e Sabien Lilajt. Mesfushori korçar mund të largohet nga Skënderbeu në rast se kampionët dënohen. Pista e tij është shumë e vështirë, por ku i dihet. Një emër tjetër që ka dalë në skenë së fundmi është ai i Nijas Lenës. Mesfushori është një dëshirë e vjetër e “demave” dhe tashmë është i lirë në merkato. Emri i 31-vjeçarit është shfaqur së fundmi në skenë.
LENA – Mesfushori strugan e ka mbyllur aventurën e tij në ligën e dytë gjeorgjiane dhe tani është një lojtar i lirë. Vetë 31-vjeçari e ka njoftuar diçka të tillë përmes një postimi në “Instagram”, ka lënë të nënkuptohet se aventura e tij me skuadrën Telavi ka përfunduar. Ç’është e vërteta eksperienca në Gjeorgji ka qenë e shkurtër, kjo për faktin se ishte një zgjedhje provizore nga ana e Lenës, pasi i kishte djegur të dyja dritaret e transferimit në Europë. Ai u aktivizua me Kukësin në Champions League dhe m pas u transferua te Teuta, por as aty nuk shkuan mirë gjërat. Tani Lena duket gati për t’u rikthyer në futbollin shqiptar dhe është i hapur për ofertat që mund të shkojnë drejt tij. Partizani duket se do të jetë skuadra që mund ta rrëmbejë në skuadër.